Muzeu i Alfabetit nuk funksionon sivjet. Ndërtesa që priti 111 vite më parë 50 delegatët e kongresit, këtë vit është e mbyllur për vizitorët, pasi ende po zhvillohen punime për riparimin e saj. Nuk është zgjidhur as problemi me pronësinë e ndërtesës për të cilën me vite zhvillohen biseda pa zgjidhje konkrete.

Shqiptarët në Manastir ndjehen të lënë pas dore. Nuk është hapur as gjimnazi i premtuar në gjuhën shqipe.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti thotë se angazhohen në vazhdimësi që ata të ndjehen të sigurt në vendin e tyre dhe të përfaqësuar në institucione. Por, thotë se duhet guxim edhe prej vetë atyre që të gëzojnë të drejtat kushtetuese.

“Disa herë kemi bërë përpjekje për hapjen e gjimnazit në gjuhën shqipe, por s’kemi pasur sukses, se suksesi varet nga angazhimi i qytetarëve për regjistrimin e nxënësve. Siguroj të gjithë shqiptarët në qytetet ku janë pakicë të mos jetojnë me frikë, gjërat kanë ndryshuar e RMV ka një realitet të ri në dy dekadat e fundit, duhet të jenë më të organizuar, të realizojnë të drejtat e tyre”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në përvjetorin e 111 të gjuhës shqipe, RMV ende në pritje të përgjigjes nga Komisioni i Venecias për Ligjin për dygjuhësi. Ahmeti thotë se nga ky proces s’ka kthim mbrapa, pasi s’është në të mirën e vendit.

“Komisioni i Venecias është një komision autoritativ dhe do të ketë parasysh se Ligji për përdorimin e gjuhëve ka kaluar në institucionin më të lartë të RMV-së, është votuar nga dy komunitetet më të mëdha, është një nga shtyllat e marrëveshjes paqësore të Ohrit, kështu që do të presim vlerësimin përfundimtar. Çdo kthim pas nuk i shërben vendit, nuk i shërben raporteve midis etnive dhe duhet të shohim se si duhet që çështjet t’i çojmë përpara”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti komentoi edhe mosprezencën e asnjë funksionari maqedonas në ceremoninë e ndarjes së çmimit “22 nëntori”. Sipas kreut të integristëve, ngjarje të tilla nuk duhet të kalojnë në heshtje apo të bojkotohen nga maqedonasit.

evn