Ahmeti: S’ka pazar me referendumin

Bashkimi Evropian na ka thënë disa herë edhe hapur: mbyllini problemet me fqinjët dhe vazhdoni reformat e nisura. Kjo është e rëndësishme për ne. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në intervistë për TV24 ka thënë se pas anëtarësimit në NATO, në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, do të nisin reformat e thellësishme dhe bisedimet serioze me BE-në.

Marketing

“Shumë vizita janë bërë në Greqinë, konkretisht unë në Athinë me të gjithë krerët shtetëror grek për të gjetur një zgjidhje konkrete, të pranueshme për të dyja palët. Shumë mund dhe investime janë bërë në gjetjen e një zgjidhje dhe në këtë drejtim, nuk besoj në deklaratat se është rrezik arritja e konsensusit të dielën”, ka thënë Ahmeti, ndërsa është shprehur optimist edhe në votën “për” të diasporës.

“Kam takuar shumë mërgimtarë që ishin këtu dhe kam bindjen se të shtunën, do vijnë nga mërgata, nuk dua të kalkulojë me numra, por ju siguroj se edhe ata duan që vendi ynë të përparojë dhe të arrij atë që e kanë arritur shtetet anëtarë të BE-së dhe NATO-s. Unë i takoj njerëzve që mendojnë për të ardhmen e vendit dhe jo atyre që duan të kthehen në të kaluarën. Nuk besoj në frikën që po përhapet se nuk do të arrihet konsensusi”, ka thënë kryetari i BDI-së.

Sa i përket votimit të ndryshimeve kushtetuese pas referendumit, Ahmeti mendon se do të ketë deputetë që i vlerëson votat e qytetarëve dhe do të votojë për ndryshimet kushtetuese, pasi jo të gjithë duan izolimin.
“Referendumi është çështje vendimtare për vendin. Askush nuk duhet ta kushtëzojë referendumin me asgjë. Ky është moment historik që nuk përsëritet më”, është përgjigjur Ahmeti në pyetjen nëse VMRO-DPMNE dëshiron amnisti për krerët e partisë si kompensim për të mbështetur referendumin ditën e diel.