Dy emigrantë kanë humbur jetën në Shtip, ndërsa 12 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti gjatë transportimit të tyre ilegal. Vozitësi me iniciale P.P. pas aksidentit është arratisur, mirëpo pas ndërmarrjes së masave të nevojshme nga policia, ai është arrestuar, së bashku me një organizator tjetër të këtij grupi tranportues emigrantësh. Ndërkaq, policia ka ngritur procedurë penale për gjithsej katër persona, tre nga Shkupi dhe një nga Gjevgjelia, për ”Organizim të grupit dhe nxitje të veprës tregti me njerëz, tregti me fëmijë dhe kontrabandë me emigrantë”.

“Kjo grupë kriminale, ka organizuar transportimin e emigrantëve nga kufiri jugor kah kufiri me Republikën e Serbisë, me tendencë të transportimit të mëtejshëm për nëvendet e BE-së. Në rastin konkret, me automjet ‘Iveko’ janë transportuar 23 emigrantë, të cilët përmes Vallandovës dhe Strumicës, janë drejtuar nga Shtipi. Por, në rrugën për në Shtip, vozitësi P.P. e ka humbur kontrollin e vozitjes dhe ka goditur mbrojtjen prej metali të rrugës. Menjëherë pas aksidentit P.P ka ikur nga vendi i ngjarjes, por pas marrjes së masave nga zyrtarët policor, ai është gjetur dhe ështëkapur. Gjithashtu është kapur edhe një person tjetër nga kjo grupë kriminale”.

Siç njoftojnë nga MPB, të akuzuarit kanë organizuar grup kriminal për kontrabandim të emigrantëve të cilët janë marrë nga Republika e Greqisë në Republikës e Maqedonisë dhe janë dërguar në rajonin e Kumanovës, ku përkohësisht i kanë strehuar dhe i kanë dërguar kah Serbia dhe vendet e BE-së. Policia është në kërkim edhe të dy personave të tjerë, të cilët po ashtu dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandimin e emigrantëve.