Shtohet numri i aksidenteve rrugore në Maqedoninë e Veriut Për vetëm dy ditë gjatë javës së kaluar, dhjetëra aksidente kanë ndodhur në autostradat Tetovë- Gostivar dhe Tetovë -Shkup madje me pasoja fatale. Sipas policisë arsyeja kryesore është shpejtësia. Megjithatë shumë aksidente shkaktohen edhe nga kafshët nëpër autostrada si pasojë e vjedhjes së telave mbrojtës nga shitësit e hekurit.

Nga ana tjetër, ekspertët kritikojnë institucionet, sidomos Rrugët e Maqedonisë për mosmirëmbajtjen e autostradave dhe Sektorin e Punëve të brendshme, të cilët duhet t`i shtojnë masat ndaj atyre që tejkalojnë shpejtësinë. Sipas tyre policia rrugore duhet të jetë më prezent për kontrrolimin e lëvizjeve gjatë qarkullimit. Ata madje thonë se duhet të bëhet edhe një kontrollë ndaj autoshkollave që trajnojnë shoferët e ri se si i kalojnë testet dhe si pajisen me leje për vozitje.

“Shpesh në debate të ndryshme problemi i aksidenteve dhe vdekjeve në të trajtohet si problem transporti dhe si rrjedhojë institucionet kompetente nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme. Në bazë të statistikave zyrtare në vendin tonë çdo viti e më shumë ritet numri i aksidenteve në komunikacion dhe si pasojë edhe numri i viktimave. Nëse shohim të dhënat zyrtare do të konstatojmë se numri i viktimave nga aksidentet është shumë më i lartë se numri i vrasjeve dhe krimeve që ndodhin për një periudhë një vjeçare. Këta të dhëna të frikshme alarmojnë për ndërmarrjen e masave me radikale dhe me të shtrënguara nga ana e institucioneve zyrtare”, shprehet për Zhurnal, eksperti i sigurisë, Hasim Murtezani.

Ai thotë se janë dy faktorë që shkaktojnë aksidente. “1. Vetë shoferët që nuk respektojnë rregullat dhe sinjalizimet e vendosura në rrugë dhe 2. Mungesa e kushteve të mira për një qarkullim të sigurt për udhëtarët.Institucionet duhet të ndërmarrin disa masa për parandalimin e numrit të lartë të aksidenteve dhe atë: 1. Policia rrugore me prezentë për kontrollim të lëvizjeve gjatë qarkullimit. 2. Ndërmarrja e masave me zbatim të ligjit pa tolerancë gjegjësishtë dhënien e gjobave të parapara, duke pezulluar dhe lejet për vozitje nëse kërkohet. 3. Kontrollim më i lartë ndaj auto shkollave që trajnojnë shoferë të rinj se si i kalojnë testet dhe se si pajisen me leje për vozitje. 4.Observim të lartë ndaj qendrave teknike ku kalojnë automjetet për kontrolle para regjistrimit të të njëjtave, se si bëhen kontrollet e tilla. 5.Vendosja e foto aparateve ku gjobat do jenë elektronike pa patur mundësi për ndërhyrje që të njëjtat të falen apo anulohen nga intervenimit e ndryshme”, thotë Murtezani.

“Shpejtësia është faktor 80 për qind e ndodhjes së aksidenteve, vozitësit duhet të jenë të kujdesshëm. Pastaj, gjatë mirëmbajtjes shumë hapësirë është lënë për sanimin e këtyre zbrazëtirave ku mund të kalojnë kafshë të egra dhe kafshë shtëpiake, pra këto duhet të mirëmbahen”, thotë eksperti i komunikacionit, Sulejman Rahimi.

Qytetarët shprehen autokritik, thonë se pavarësisht dënimeve shoferët duhet të ndërgjegjësohen dhe respektojnë rregullat në komunikacion.

“Rregullat absoulitsht nuk respektohen aspak, ndërsa më shqetësuese është çështja e motoristëve rreth shkollave që duhet të na shqetësojë. Vozisin me shpejtësi trefish mbi të lejuarën”, shprehet një qytetar.

Në këtë kuadër nga MPB-ja thonë se është duke u përgatitur edhe plani për vendosjen e radarëve me fotoaparate, sidomos nëpër autostrada.