Aksidenti në Pintija, Prokuroria po heton shkaqet(Video)

Një ditë pas aksidentit tragjik në lagjen Pintia të Shkupit ku humbën jetën dy persona, autoritetet nuk japin detaje që çuan deri tek ky aksident. Nga Prokuroria thonë janë duke u analizuar të gjitha detajet e ekspertizës nga terreni dhe së shpejti do të konstatohen shkaqet. Sipas MPB-së ende është herët të dihet se kush ishte fajtori dhe a ishte shpejtësia faktori kryesor.

Marketing

Më datë 22.06.2019 në ora 22:00 në Bulevardin “Boris Trajkovski” në Shkup ndodhi një aksident ndërmjet veturës ‘Volksvagen Golf’e drejtuar nga SH.S. 21 vjeç nga fshati Batincë dhe veturës ‘Pezho’ e drejtuar nga Z.Gj. 48 vjeç nga Shkupi. Të dy vozitësit ndërruan jetë në vendin e ngjarjes. Pas ekspertizës së kryer nga prokurori publik dhe SPB-Shkup, trupat e pa jetë u dërguan për obduksion” – theksuan nga Ministria e Punëve të Brendshme

Nga dikasteri i brendshëm njoftojnë se njëri nga viktimat ka qenë i gjobitur 16 herë që nga janari i këtij viti për mos respektim të rregullave në trafik.

Përderisa gjurmët e automjeteve të aksidentuara gjenden ende në vendin e ngjarjes, këtu në asfalt nuk vërejtëm gjurmë të gomave nga frenimi. Kurse, sipas dëshmitarëve shpejtësia e madhe ka qenë shkaktari kryesorë i aksidentit, ku mbrëmë humbën jetën dy ngasësit e makinave.”

Kurse, banorët e zonës thonë se aksidente me fatalitet ndodhin shpesh në këtë aks si pasojë e shpejtësisë dhe rrugës së ngushtë me dy korsi. Këmbësorët ankohen edhe për mungesë trotuaresh.

“Po këtu vozitet shpejtë. Unë jam nga fshati Draçevë dhe këtu vozitet shumë shpejtë. Me të thënë të drejtën ka vetura të fuqishme, por rrugët tona nuk janë për vetura të tilla. Po ndodhin këtu aksidente edhe me motorë e këmbësorët, rruga është e ngushtë kurse ka ngarkesë të madhe në trafik.”

“Siç po e shihni këtu nuk ka as trotuare për këmbësorët. Dëgjova për aksidentin mbrëmë dhe më vjen shumë keq, por këtu gjithmonë vozisin shumë shpejtë.”

“Në këtë rrugë shpesh ndodhin aksidente, kjo nuk ishte hera e parë që humbën jetë njerëzish. Mendoj se para disa muajsh kishte një aksident të rëndë diku më poshtë pompës benzinës, ku një veturë kishte goditur një kamion, nëse nuk gabohem kishte 3-4 viktima.”- u shprehën qytetarët e intervistuar.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski paralajmëroi se vendosja e kamerave të sigurisë në rrugë mund të detektojnë kundërvajtjet e caktuara, duke mundësuar shqiptimin e menjëhershëm të gjobave, pa intervenime nga jashtë, si preventive për uljen e aksidenteve në trafik. Në Bulevardin “Boris Trajkovski” që të shpie nga Shkupi për në Draçevë, një ditë pas aksidentit janë shtuar masat e rendit, ku edhe patrullat policore matin shpejtësinë me radarë. Vetëm në këtë aks rrugorë që nga fillimi i vitit, policia thotë se ka shqiptuar 369 gjoba për vozitje të shpejtë.

Marketing