Aktakuzë kundër ish-ministrit serb i cili i quajti shqiptarët terroristë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër ish ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevic, pasi që në cilësinë e Ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Marketing

I pandehuri Ivan Todosijevic, më 24.03.2019, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi…Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime ish ministri, ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Marketing