Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me partnerët nga Koalicioni global për luftë kundër terrorizmit dhe Forcat Demokratike Siriane, sot i arrestuan shtatë shtetas të Maqedonisë për të cilët ekzistojnë dyshime bazike se si luftëtarë të huaj terroristë në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak.

Bëhet fjalë për shtetasit e Maqedonisë S.R. 1990, Xh.A. 1993, B.F. 1994, O.Zh. 1987, E.O. 1994, I.Sh. 1977, A.M. 1995, për të cilët është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar dhe për të cilët sipas nenit 322a dhe 394a nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë janë dorëzuar kallëzime penale në kuadër të aksioneve policore “Celula 1” (gusht 2015) dhe “Celula 2” (korrik 2016), njofton MPB.

“Në kuadër të koalicionit global për luftë kundër terrorizmit, Republika e Maqedonisë vazhdon edhe më tej me aktivitete të vazhdueshme në drejtim të detektimit, identifikimit, neutralizimit dhe ndjekjes penale të luftëtarëve të huaj terroristë. Republika e Maqedonisë si një nga vendet e cila i pranoi rezolutat 2178 (2014) dhe 2396 (2017) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mori obligime për ndjekjen penale të shtetasve të saj të cilët si luftëtarë të huaj terroristë kanë marrë pjesë në rajonet e krizave në Siri dhe Irak dhe kthimin e tyre në vendin amë, duke e respektuar të drejtën vendore dhe ndërkombëtare, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Ky aksion është edhe një tregues se institucionet e Republikës së Maqedonisë kanë kapacitet dhe kredibilitet që të ballafaqohen me sfidat aktuale të sigurisë dhe janë partner serioz në Koalicionin global për luftë kundër terrorizmit. Në pajtueshmëri me Strategjitë kombëtare për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit, Republika e Maqedonisë realizon programe për deradikalizimin e luftëtarëve të huaj terroristë nëpër burgje, ndërmori aktivitete për rritjen e vetëdijes për rrezikun dhe kanosjet nga terrorizmi dhe i përforcon mekanizmat për parandalimin e radikalizmit në nivel lokal”, thuhet në kumtesën e MPB-së.