Ali Ahmeti duhet ta përdorë “fshesën” në BDI si Zoran Zaevi në LSDM, sugjerojnë analistët

Me vendimin e kryeministrit Zoran Zaevi për të shkarkuar me dhjetëra emra nga me poste të larta në LSDM, funksionarë të saj në ndërmarrjet publike e edhe zyrtarë të qeverisë, tash topi i lojës me apo pa dashje po dërgohet edhe partnerët e tij qeveritar shqiptar (BDI, Alternativa, PDSH e RDK).

Marketing

Vëzhguesit vendorë thonë se masat e ndërmarra nga Zaevi brenda partisë dhe brenda qeverisë (ende të pa kompletuara) me anëtarë të LSDM-së, do të duhej që të ndërmerren edhe nga BDI-ja, sidomos.

Politologu Deniz Memedi tha për Zhurnal.mk se arsyeja e shkarkimeve në radhët e LSDM-së ka të bëjë me rezultatet jo krejtësisht të kënaqshme në zgjedhjet për kryetar vendi nga radhët e partisë së kryeministrit.

“Vendimi për shkarkimin e të gjithë organeve të partisë, gjashtë nënkryetarët si dhe sekretarin përgjithshëm paraqet një moment të ri në skenën politike të vendit. Rezultatet nga zgjedhjet e fundit presidenciale alarmuan partinë më të madhe në pushtet se votuesit e tyre janë të pakënaqur nga një pjesë e funksionarëve të LSDM-së. Kryeministri Zaev reflektoi nga ky mesazh dhe erdhi deri tek vendimi i rifreskimit të strukturave partiake dhe bartësve të funksioneve publike”, tha ai.

Sipas Memedit, një masë e këtillë do të duhej ndërmarrë edhe nga BDI-ja, për shkak të punës “jo efikase” të funksionarëve dhe zyrtarëve të saj.

“A do ta bëjë të njëjtën partneri koalicionit BDI, mbetet të shihet gjatë periudhës në vijim. Sipas deklaratave nga zyrtarët e BDI-së haptazi thonë se për punën e tyre ata përgjigjen vetëm para partisë dhe udhëheqësit të partisë (Ali) Ahmeti. Mirëpo në rast se indikatorë të caktuar tregojnë për punën jo efikase të funksionarëve të kësaj partie, atëherë padyshim që edhe BDI duhet të reflektojë dhe të ndjek rrugën e njëjtë të kryeministrit Zaev”, ka deklaruar për Zhurnal.mk, politologu Deniz Memedi.

Diagnozë të njëjtë për arsyet e shkarkimeve në LSDM ka edhe analisti Dame Çkatroski, i cili tha për Zhurnal.mk se dy partitë më të mëdha të koalicionit qeveritar nuk janë në “kondicion të mirë”.

“Realisht LSDM dhe BDI pas rezultatit të referendumit nuk janë në kondicion më të mirë. BDI veçmë ka problem me rejtingun në terren. LSDM bëri rezultat dhe po përgatitet për zgjedhjet e vitit 2020. Shihet se jo vetëm që është i madh ndryshimi atje, por para se gjithash do të punohet në hapjen e partisë dhe transparencë me persona të ri që do të mbajnë mbi shpatulla zgjedhjet e ardhshme”, konstaton Çkatroski.

Ai ndërkohë mendon se ndryshime të njëjta do të duhet që të bëjë edhe Ali Ahmeti në partinë e tij, edhe pse sipas tij kjo parti nuk është duke treguar ndonjë interesim për të marrë hapa të këtillë në të njëjtën kohë si edhe Zaevi.

“BDI më duket se me frikë po shikojnë në këto ndryshime. Atje janë të pa interesuar, përfshirë edhe Ahmetin. Por BDI ka probleme serioze, por atje do të ketë reforma të thella ose llogarinë në fund do të ua paguaj Ali Ahmeti. Nuk kanë mësuar se lideri në fund është përgjegjës për tërë partinë, dhe jo vetëm për disa funksionarë. Mendoj se duhet të kalon pak kohë që të lind diçka të re te kjo parti. Nuk besoj se Ali Aahmeti është më i butë se Zoran Zaev”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Dame Çkatroski.

Ndërkohë, Zhurnal.mk mëson se në radhët e BDI-së tashmë ka zëra të cilët po shfaqin interesim që të bëhen freskim dhe ristrukturim i brendshëm partiak e po aq edhe në radhët e kuadrove të saj në qeveri dhe adresa të tjera nga sektori publik.

Deri më tash nëpër opinion publik kanë qarkulluar disa emra zyrtarësh qeveritarë të BDI-së të cilët do të mund të shkarkoheshin gjatë ditëve në vijim për shkak të rezultateve jo të mira.

Zhurnal.mk dhe media të tjera vendore kanë raportuar se në listën e eventuale të shkarkimeve do të mund të gjendeshin edhe Ministri për Ambientin Sadulla Duraku e Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.