Ali Ahmeti: Edhe një jetë po ta kishim me shoktë e mi, luftën do ta bënim përsëri

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit
shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të
së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave
euro-amerikane.
Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do ta dëshmojnë
luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen
ngadhnjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe
drejtësinë vendore e ndërkombëtare.
Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po ta kishim edhe një jetë,
edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi,
ne do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit
tonë.
Të gjitha të arriturat tona në këto dekada i kemi realizuar bashkarisht
me miqtë tanë ndërkombëtar dhe bashkarisht, duke respektuar vlerat e
përqafuara nga të gjithë ne, edhe do ta përfundojmë rrugëtimin tonë
drejt lirisë, pavarësisë, drejtësisë dhe integrimit.
Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të
të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën
thirrjes së drejtësise në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa më
të shpejtë në detyrat e tyre që i presin.