Ali Ahmeti: Ia dolëm. Dje mbollëm që sot të korrim, urime!

Të nderuar qytetarë, motra e vëllezër

Marketing

24 marsi po shënohet në historinë tonë më të re si datë shumë e
rëndësishme për lajme nga Brukseli.

Sot, si më 1999, po na vjen një lajm shprese nga Brukseli ku Bashkimi
Evropian vendosi që të hap bisedimet për anëtarësim të plotë të vendit
tonë dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ky është një lajm shumë
shpresëdhënës dhe i mirë për të gjithë ne, në vecanti kur po kalojmë
ditë të vështira në përballje me kanosjen për shëndetin e gjithësecilit
prej nesh.

Në vitin 1999, aleanca veriatlantike filloi sulmet ajrore mbi forcat
serbe dhe bashkë me popullin dhe UCKnë çliruan Kosovën dhe më pastaj
sollën pavarësinë.

Sot dhe sivjet, përpjekjet tona politike dhe ushtarake për shkëputje nga
boshti i panatyrshëm jugosllav po rezultojnë me atë që synuam me dekada
të tëra.

Dje mbollëm që sot të korrim. Procesi për anëtarësim në NATO u përmbyll,
ndërsa dera e Evropës u hap.

Si shqiponja që fluturon lartë, pa e humbur asnjëherë shikimin nga caku,
bashkë ia dolëm.

Nuk na ndali asgjë dhe askush në këtë përcaktim tonin rilindas dhe ne
nuk e humbëm për asnjë çast të vetëm përcaktimin e palekundur për ta
realizuar synimin tonë.

Kjo është meritë e juaja, kjo u realizua fal vullnetit tuaj dhe unë jam
mirënjohës që ju u përcaktuat të delegoni besimin tuaj tek ne në këto
vite dhe ashtu siç kam thënë në vazhdimësi, ne nuk do t’ju zhgënjejmë
asnjëherë.

Ju përgëzoj për këtë të arrirë të jashtëzakontë me uratat më të sinqerta
që të tejkalojmë sa më shpejtë këtë gjendje që ti përvjelim mangët dhe
ti rrekemi punës që na pret, si vend anëtar i NATOsë dhe në negociata
për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Kjo është e ardhmja e sigurt miq, pa asnjë mëdyshje, pa asnjë hamendje,
pa asnjë hezitim!