Ali Ahmeti: Koha për Kryeministër shqiptar

Të nderuar qytetarë, të dashur bashkëmendimtarë,

Marketing

Sot Bashkimi Demokratik për Integrim shënon 18 vjetorin e themelimit si
subjekti më i madh i shqiptarëve në vendin tonë, trashëgimtar i Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësues legjitim dhe absolut i vullnetit
politik të shqiptarëve në dy dekadat e fundit.

Me kënaqësi të madhe dhe krenari për veprimtarinë tonë të përbashkët, ju
uroj këtë 18 vjetor të themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim,
në veçanti të gjithë anëtarëve, bashkëdrejtuesve, aktivistëve,
përkrahësve, simpatizantëve, votuesve, bashkëveprimtarëve, aleatëve, por
edhe të gjithë qytetarëve të vendit.

18 vjet qëndruam bashkë në çdo sfidë me të cilën u ballafaquam, në
procese të panumërta për ta arritur barazinë e plotë, për t’u integruar
tërësisht në NATO dhe në Bashkimin Europian, për ta rritur cilësinë e
jetës, për të siguruar të ardhmën e rinisë sonë dhe të të gjithë neve.

Sot, të dashur qytetarë, jemi anëtarë fuqiplotë të aleancës më të madhe
politiko-ushtarake në botë NATOs, sot jemi vend që negocion me Bashkimin
Europian për anëtarësim të plotë në familjen e madhe të kontinentit
tonë, sot jemi me barazi të plotë gjuhësore dhe me zbatim të plotë të
pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, me tre universitete në gjuhën
shqipe, me shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, institucione, sot instaluam
parimin e konsensualitetit edhe në vendimmarje edhe në përzgjedhje si
dhe drejtuam si shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi kuvendin,
ministritë e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, avokatin e popullit
dhe të shtetit, gjykatat supreme dhe kushtetuese, por akoma nuk është
përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe.

Të gjitha këto i mundësoi besimi juaj i palëkundur në të gjitha proceset
zgjedhore, parlamentare, lokale, presidenciale, referendume gjatë 18
viteve që nga 5 qershori i vitit 2002.

Të nderuar,

viti që po lëmë pas shënoi edhe mbajtjen e Kongresit të katërt
spektakolar të Bashkimit Demokratik për Integrim, kongresit të
ndryshimeve të mëdha në vigjilje të 20 vjeçarit vijues të organizatës
tonë politike.

Kongresit i parapriu një proçes ambicioz i tërësishëm i riregjistrimit
të anëtarësisë ku për herë të parë u aplikua vetingu brendapartiak, për
të vijuar më pastaj me zgjedhjet në të gjitha këshillat vendorë dhe
degët e BDIsë ku u zgjodhën mbi 90% të kryetarëve të rinjë në qindra
këshillat tonë vendor dhe afërsishtë 100% të kryetarëve të rinjë të
degëve, me përfaqësim të garantuar dhe cilësor të grave në të gjitha
organet. Kongresi gjithashtu zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm të ri me
mbi 70% të anëtarëve të rinj dhe me mbi 40% përfaqësim të grave, ndërsa
themeloi edhe organe të reja që garantojnë qëndrueshmërinë, konzistencën
dhe jetëgjatësinë e subjektit tonë si Kongresi i vazhdimësisë, Këshilli
Kombëtar dhe Komisioni Qëndror Zgjedhor.

Me ndryshimet statutare, për herë të parë një parti politike në vend e
më gjërë themelon funksionin e Sekretarit për Mundësi të Barabarta,
ndërsa në Deklaratën e Misionit të vet përcaktohet me frymë të
solidaritet për c’rrënjosje të pabarazisë dhe përqëndrimit nga të paktët
tek të shumtët duke ndërtuar shoqëri të mirëqenies, me shërbime publike
dhe institucione të përgjegjshme dhe cilësore, me arsim, shëndetësi,
rroga dhe pensione dinjitoze duke u përkujdesur për të gjitha kategoritë
e shoqërisë dhe duke siguruar progres social nëpërmjet të përfshirjes së
çdo njëriu dhe çdo vendbanimi

Nuk ri dot pa e thënë, edhe në këtë përvjetor, që alternativa në skenën
politike shqiptare është përçarja e votës dhe plogështimi i vullnetit
politik shqiptarë në parti të shumta që rrjedhin nga ndarjet dhe
shkëputjet, e jo nga vullneti qytetarë dhe me synim për të bërë mirë.
Çdo herë e përsëris që nuk na nevojitetit defaktorizimi i shqiptarëve
nëpërmjet të copëtimit të votës shqiptare në aq shumë parti dhe me
përfaqësim me nahi e jo tërësi. Hidhjani një sy vetëm takimeve të
ashtuquajtura të liderëve dhe mos e harroni atë ndjesi që ua krijon ajo
fotografi.

Ky përvjetor na gjen në kohë pandemie të pashembulltë në historinë e
planetit tonë e cila ka marrë aq shumë jetë dhe ka prekur me miliona
njerëz, pa mos e përjashtuar edhe vendin tonë. Ne të gjithë bashkarisht
jemi në këtë betejë, pa dallime etnike, kulturore, fetare, shtetërore,
dhe prandaj bashkë dhe pa asnjë përjashtim duhet ti përmbahemi dhe ti
respektojmë masat e kujdesit në mënyrë që ti kthehemi normalitetit dhe
jetës së përditshme.

Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë,

Në përvjetorin tonë të 18, kur sa po filluam ndërtimin e Bashkimit
Demokratik për Integrim, kemi më shumë nevojë se çdoherë për njëri
tjetrin, për solidaritetin brenda organizatës, për shtrirjen e dorës së
bashkëpunimit dhe mbështetjes, për besimin që do t’ia dalim sepse diçka
e madhe po vjen para nesh, diçka që do të kërkon kontributin e
gjithësecilit prej nesh.

Të dashur qytetarë,

Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, Bashkë u përballuam me
çdo sfidë dhe i besuam njëri tjetrit, Bashkë i përcaktuam dhe i
realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të
gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkarisht edhe qëllimin tonë të rradhës
që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një
personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të
cilën do ta përzgjedhim bashkarisht për KRYEMINISTRIN E PARË SHQIPTAR!!!

Në çdo përvjetor përcaktojmë synime ambicioze dhe me kohë, ato i
realizojmë, prandaj gëzuar miq dhe na priftë e mbara drejt realizimit të
qëllimeve tona të përbashkëta.

Vëllazërisht,
Ali Ahmeti

Marketing