Bashkimi Demokratik për Integrim ka vizituar banorët e fshatit Çegran ku para të pranishmëve është bërë me dije rëndësia e datës 30 shtator,  kësaj date historike, me çka ju bë thirrje banorëve të këtij vendbanimi që ti thuan PO Maqedonisë në NATO dhe BE.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, bëri të ditur se me 30 shtator nuk votohet një marrëveshje mes të dyja palëve por votohet ardhmëria dhe historia e këtij vendi.

“Me 30 shtator votohet për brezat që do të lindin në të ardhmen pasi sot kemi përgjegjësi historike pasi 30 shtatori është i papërsëritshëm. Ne jemi të përcaktuar thellë, ne duam të jemi aty ku e kemi vendin. Në rast se hyjmë në NATO dhe BE llogarisni se çka do të ndodh me ekonominë tonë, sepse rritet besimi tek investitorët, gatishmëria për të investuar jo vetëm tek të huajt dhe të vendit sepse secili kërkon siguri për kapitalin e vet. Prandaj me 30 shtator votohet edhe për kthimin e atyre që janë në perëndim por edhe për parandalimin e atyre që duan të shkojnë atje,” u shprehë Kryetari i BDI-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën informuese për referendumin që do të mbahet me 30 shtator do ta mbaj sot në qytetin e Kumanovës.