Ali Ahmeti pret ambasadorin e BE-së, Dejvid Gir: Meritojmë nisjen e negociatave

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti ka pritur në
takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, z. Dejvid Gir. Gjatë
këtij takimi, kryetari Ahmeti i ka uruar punë të mbarë dhe shëndet z.
Gir.

Marketing

Ahmeti i ka thënë ambasadorit evropian Gir se Maqedonia e Veriut,
përkatësisht koalicioni qeveritar është plotësisht i përkushtuar në
agjendën për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, që njëherësh
është dhe qëllim strategjik i yni.

Gjatë bisedës, Ahmeti dhe Gir u pajtuan se Republika e Maqedonisë së
Veriut po bën përpjekje të fuqishme për të realizuar reformat e
brendshme në mënyrën më efikase dhe gjithëpërfshirëse. Përveç kësaj,
kryetari i BDI-së Ahmeti i shprehu mirënjohje ambasadorit Gir për
angazhimin e Bashkimit Evropian sa i përket mbështetjes për gjithë
rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti dhe ambasadori
i BE-së në Shkup, z. Dejvid Gir gjithashtu biseduan dhe për çështjen e
vetme të hapur të Maqedonisë së Veriut, kontestin me Bullgarinë. Ahmeti
i tha ambasadorit Gir se kjo situatë e krijuar do të tejkalohet përmes
dialogut të mirëfilltë dhe shumë konstruktiv midis Shkupit dhe Sofjes
dhe që në këtë drejtim vendit i duhet një lehtësim nga Bashkimi
Evropian, ngjashëm si edhe me Greqinë.

Në fund të këtij takimi, kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti i tha
ambasadorit të BE-së, z. Dejvid Gir se të dyja palët, edhe Shkupi edhe
Sofja duhet të jenë shumë të kujdesshme në përmbylljen e këtij kontesti
dhe që duhet pasur parasysh se “sa më shumë histori, aq më shumë
nostalgji” do të shkaktohet.

Marketing