Unë nuk jam kërcënuar asnjëherë dhe aq më pak dua të frikësojë dikë. Por, unë flas se ka grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit që nuk duan ta shohin Maqedoninë të zhvilluar dhe pjesë të strukturave euroatlantike, ka thënë lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për TV24.

“Unë nuk jam kërcënuar asnjëherë dhe aq më pak dua të frikësojë dikë. Por, unë flas se ka grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit që nuk duan ta shohin Maqedoninë të zhvilluar dhe pjesë të strukturave euroatlantike. Këto grupe janë gjithandej, siç janë ata që duan Bullgari të Madhe, Serbi të Madhe… Brenda rajonit ka grupe që nuk duan që ky vend të jetë anëtarë i NATO-s, i BE-së dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e kanë thënë edhe shumë zyrtarë tjerë ndërkombëtarë”, është shprehur Ahmeti. Identiteti dhe gjuha e maqedonasve, ka vijuar më tej kreu i BDI-së, ruhet vetëm brenda NATO-s dhe BE-së.

“Asnjë komb dhe asnjë identitet nuk ka qenë i sigurt jashtë këtyre dy institucioneve ndërkombëtare. Mendoj se shumica dërmuese e qytetarëve do të vendosin për të ardhmen e tyre. Vitin e ardhshëm ne do të jemi anëtarë fuqiplotë në NATO. Bisedimet me Bashkimin Evropian po fillojnë, ndërsa na mbetet akoma punë në rrugën drejt Evropës. Mirë është ta mbyllim një punë, sikurse është referendumi, për të vazhduar me reformat për anëtarësim në BE”, ka thënë Ahmeti.