Ali Ahmeti: Vendimin për marrëveshjen me Greqinë do ta sjellin deputetët e Kuvendit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, nga selia në Tetovë, ka dhënë deklaratë për media në lidhje me referendumin e ditës së sotme.

Marketing

Të nderuar qytetar, të nderuara media,

Dita e sotme ishte një ditë shumë e rëndësishme për vendin tonë.

Uroj të gjithë qytetarët e Maqedonisë, institucionet e vendit, të gjitha partitë politike të cilat kontribuan në mbarëvajtjen e procesit të referendumit për shfaqjen e qytetarisë dhe kulturës demokratike.

Sot, ne demonstruam kapacitete demokratike të denja për një vend pretendent për integrim në NATO dhe në BE.

Ky proces i reformave, barazisë dhe mbylljes së çështjeve me fqinjtë tanë garanton paqë të qëndrueshme, siguri, stabilitet, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, zhvillim ekonomik, më shumë vende pune, investime vendore dhe të huaja si dhe mirëqenie shoqërore.

Unë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim që në fillim e kemi thënë që vendimmarrja i takon institucioneve të vendit të zgjedhura në mënyrë legjitime dhe me kapacitet të plotë vendim-marrës.

Sot, qytetarët e vendit ia deleguan vendim-marrjën Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe demokratike.

Ne jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të kalkulojmë për zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin e ardhshëm.

Me votën tonë në Kuvend ne e përcaktojmë të ardhmën e vendit tonë, të ardhmën e gjeneratave që vijnë pas nesh, por edhe të ardhmën e rajonit të Evropës Juglindore.

Në zgjedhjet e vitit 2016, ne u zotuam për barazi, integrim euroatlantik, reforma të thella sistemore, shtet ligjor dhe sundim të së drejtës si dhe zhvillim ekonomik.

Gati se të njejtat premtime i dhanë edhe të gjitha partitë tjera parlamentare dhe bashkë u mandatuam për realizim të këtyre premtimeve të dhëna para qyetarëve.

Prandaj, kjo përbërje e Kuvendit ka mandat për zgjidhje të çështjeve me fqinjtë dhe integrim të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe me vendimin e tyre, sot qytetarët e deleguan të drejtën e vendim-marrjës tek Deputetët dhe institucionet e vendit.

Maqedonia alternativë tjetër nuk ka përveç se integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Falëminderoj të gjithë votuesit tanë që sot u rreshtuan në mënyrë absolute në anën e duhur të historisë për ta ndërtuar të ardhmën e sigurtë.

Marketing