Alternativa: Drejtësia selektive detyrimisht prodhon shtet të padrejtë -(VIDEO)

Këto ditë, kur në opinion po zhvillohet debati rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucionet e drejtësisë, që erdhi pas publikimit të aferës “Reket”, Alternativa është këtu të deklarojë se, pavarësisht se ku jemi sot si pozicionim politik, ne mbetemi parimorë në atë që e kemi thënë dhe për të cilën kemi luftuar që nga ditët e themelimit të subjektit – drejtësia selektive është vrasje për shtetin. Këtë e kishim thënë qëkur PSP-ja ngrinte akuza për ish drejtues të qeverisë së kaluar, duke i akuzuar disa e duke i mbrojtur disa të tjerë, vetëm sepse ata u bënë të përshtatshëm e të përdorshëm për rrethanat e reja. Madje, këtë vërejtje e kemi ngritur edhe kur gjykatat na dëmtuan rëndë edhe neve si parti, por kjo as atëherë nuk u mor kaq seriozisht. Por, tash të gjithë po binden se drejtësia selektive detyrimisht prodhon shtet të padrejtë.

Marketing

Duke e respektuar prezumimin e pafajësisë, ne nuk duam ta marrim rolin e gjykatësit, por me këtë rast i bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që rastin “Reket” ta shqyrtojë me përkushtimin më të lartë dhe të mos amnistohet askush, çfarëdo funksioni që të ketë. Kriminelët dhe zhvatësit e kanë vetëm identitetin e krimit dhe të zhvatjes.
Vendosja e shtetit ligjor dhe të drejtë është parakusht për një shtet që aspiron të jetë anëtar i BE-së dhe ne nuk kemi fare dilemë se këto afera do të ndikojnë keq edhe në agjendën tonë integruese, për çka edhe ne jemi bërë pjesë e kësaj qeverie.

Nisur nga kjo, presim që të gjendet dikush në këtë shtet që ka ndjeshmëri shtetërore dhe që nuk dëshiron që Maqedonia e Veriut nga një storje e suksesit, siç ishte nisur këto dy vite, të shndërrohet në një gropë septike, ku gëlon krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Me këtë rast e përsërisim qëndrimin tonë se ne e mbështesim ligjin e ri për Prokurorinë Publike dhe jemi për inkuadrimin e Prokurorisë Speciale Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Duke druajtur nga qasja selektive, ne kemi propozuar dhe i qëndrojmë propozimit që një shqiptar/e të jetë drejtuese e Prokurorisë së re për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Marketing