Ambasada gjermane kumton se nuk janë të sakta raportimet për ligjin e ri që do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2019 me të cilin qytetarët nga vendet të cilat nuk janë anëtare në Bashkimin Evropian do t’u mundësojë të punësohen në ndonjë shtet të Unionit nën kushtet e njëjta si qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.

“Qytetarëve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së u nevojitet sikur deri tani, ashtu edhe pas 1 janarit të vitit 2019, vizë pune valide në Gjermani. Kërkesa për vizë mund të dorëzohet vetëm në Ambasadën gjermane në Shkup dhe vetëm atje jepen vizat”, saktësojnë nga Ambasada e Gjermanisë në Shkup.

Ambasada tregon edhe njëherë në atë se ajo nuk bashkëpunon me ndërmjetësues ose agjenci.

“Përmes tyre nuk mund të merret as termin më herët ose të përshpejtohet procedura e vizave. Taksa për vizë arrin sipas rregullave 75 euro dhe paguhet me para në dorë dhe vetëm në euro, direkt në sportelin e vizave kur dorëzohet kërkesa për vizë. Taksa të tjera nuk ka në Repartin e vizave. Marrja e formularëve dhe e udhëzimeve, si dhe caktimi i terminit janë falas”, shtojnë nga Ambasada Gjermane.