Ambasada ruse në Shkup godet Zaevin

Anëtarët e grupit të tifozëve “Komitët”, të cilët ishin të arrestuar nga policia në qershor para Kuvendit, gjatë një proteste kundër marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit, kanë deklaruar në stacionin policor se biznesmenët rusë iu kishin dhënë para që të dilnin në rrugë. Këtë e tha sot kryeministri Zaev, duke shtuar se raportet ndërkombëtare nuk do të lëkunden me çështje të tilla. “Unë flas sipas asaj që dëgjoj dhe raporteve që marr.

Marketing

E dini që ata djelmoshat e “Komitëve”, të cilët kanë sulmuar policët, kanë qenë të ftuar në bisedë informative në polici. Ata kanë cekur se biznesmenë nga Rusia kanë u kanë dhënë para, andaj ata kanë qenë aty dhe se nuk kanë asgjë kundër. Unë do të konfirmoj edhe një herë se Maqedonia është një vend i vogël dhe do të krijoj miqësi me të gjithë, duke përfshirë edhe Federatën Ruse. Por, nuk ka alternativë tjetër për Maqedoninë përveç anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO”, tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë.

Më herët në një intervistë me “Bazfid News”, kryeministri tha se biznesmenët pro rusë – grekë paguanin disa qytetarë maqedonas nga 13 mijë deri në 21 mijë dollarë për të provokuar protesta të dhunshme përpara se të mbahej referendumi. TV21 iu drejtua Ambasadës së Rusisë në Shkup lidhur me këtë çështje dhe përkundër insistimit për të marrë një qëndrim, por zyrtarët rusë mbeten të përmbajtur dhe nuk duan të deklarohen, përveç një komenti në rrjetin social “Twitter” të Ambasadorit rus në Maqedoni, Oleg Shçerbak. “Deklaratën e Zoran Zaevit e vlerësojmë si papërgjegjësi politike.

Ajo deklaratë e vë në pikëpyetje sinqeritetin e angazhimit të Qeverisë së Maqedonisë për ndërtim të marrëdhënieve të mira me Rusinë. Me keqardhje konstatojmë se rusofobia po bëhet mjet për politikën e jashtme, por edhe për atë të brendshme”, u shpreh Oleg Shçerbak, ambasador i Rusisë në Maqedoni. Një muaj më parë, menjëherë pas arritjes së Marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit, tifo-grupi “Komitët” organizuan një protestë për të kundërshtuar ndërrimin e emrit kushtetues. Para godinës së Kuvendit, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e dhunshme të protestuesve. Pati edhe të arrestuar, prej të cilëve thuhet se dolën informacionet e pagesave të porositura për të eskaluar protesta.