Ambasadorја е Ukrainës vizitoi Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës

 Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, priti një delegacion të udhëhequr nga Natalia Zadorozhnjuk, ambasadore e Ukrainës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Roman Bugën, sekretar i parë dhe zëvendësambasador.

Marketing

Vizita në AZGJ u bë me ftesë të drejtorit Sela, i cili bashkëbiseduesit i falënderoi për vizitën, ndërsa njëkohësisht i informoi ata për punën dhe funksionimin e AZGJ-së, si subjekt i rëndësishëm institucional në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë për të ndërtuar një ambient, që do të respektojë, mbrojë dhe promovojë të drejtat e qytetarëve të saj, përfshirë këtu edhe të drejtën për të shprehur dhe përdorur gjuhën e tyre amtare. Drejtori Sela, u dha të ftuarve nga një kopje të botimeve të përgatitura nga AZGJ-ja, si dhe i njoftoi me kapacitetet hapësinore, teknike dhe personelin, me të cilin disponon AZGJ-ja.

Ambasadorja Zadorozhnjuk e falënderoi drejtorin Sela për ftesën për të vizituar Agjencinë, duke theksuar se Ambasada e Ukrainës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, mbështet dhe njeh rolin e rëndësishëm të AZGJ-së, si dhe shprehu gatishmërinë për dialog, ku po ashtu u shkëmbyen mendime për zbatimin e politikave gjuhësore dhe planin e punës në AZGJ për periudhën në vijim.

Të dyja palët diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë, nëpërmjet pjesëmarrjes në ngjarje të organizuara nga të dyja palët, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e një udhëtimi studimor në Ukrainë.