Ambasadori amerikan në Maqedoni Jess Bailey konsideron se vendimi që qytetarët e Maqedonisë duhet ta sjellin në referendum është shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye shpreson se do të dalin dhe do ta thonë mendimin e tyre.

“Më vjen mirë që jam këtu në këtë udhëkryq të Maqedonisë, në një kohë kur Maqedonia është në udhëkryq dhe në vendimin shumë të rëndësishëm që duhet ta sjellin qytetarët të dielën që vjen. Shpresoj se qytetarët do të dalin dhe do ta thonë mendimin e tyre, cilido qoftë ai, kjo është pjesë e rëndësishme e procesit demokratik”, tha Bailey gjatë vizitës në komunën e Kumanovës, ku kishte takim edhe me kryetarin e komunës Maksim Dimitrievski.

Bailey theksoi se SHBA-ja ka bashkëpunim me Kumanovën si qytet i cili, siç tha, e përfshin shumëllojshmërinë e Maqedonisë, nga më shumë aspekte, religjioze, kulturore, industriale.

Ai shtoi se Kumanova është udhëkryq plotësisht i dy korridoreve, jo vetëm për shtetin, por edhe për kontinentin evropian, dhe se janë krenarë që bashkëpunojnë dhe ofrojnë mbështetje për disa shkolla përmes rikonstruktimit, për zhvillimin e organizatave civile, përforcim rinor, për personat me aftësi të kufizuara, për persona të cilët fillojnë biznese të vogla.

Kreu i Kumanovës i shprehu falënderime për vizitën dhe për mbështetjen që qytetarët amerikanë e japin për Kumanovën, përmes projekteve të ndryshme. Ai e ka informuar ambasadorin amerikan për planet e komunës lidhur me zhvillimin ekonomik të qytetit, për zhvillim të infrastrukturës ekzistuese, për infrastrukturën në arsim.