Ambasadori i BE-së Zhbogar viziton AZGJ-në

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, priti një delegacion të udhëhequr nga Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ambasadorin Samuel Zhbogar i shoqëruar nga Virve Vimpari këshilltare dhe udhëheqëse e njësisië për projekte.
Në takim, Drejtori Sela shprehu kënaqësi për vizitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe shprehu mirënjohjen e tij për këtë takim të drejtpërdrejtë dhe mundësinë për të shkëmbyer mendime, me çka ai e informoi Ambasadorin Zhbogar për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe institucionalizimin e AZGJ-së e cila është e gatshme të mbështesë Qeverinë për krijimin e një shoqërie demokratike e moderne, që garanton, respekton dhe promovon të drejtat gjuhësore të qytetarëve të saj, në përputhje me standardet evropiane. Drejtori Sela, gjithashtu, informoi bashkëbiseduesin e tij për nevojën e përforcimit të kohezionit dhe bashkëpunimit ndëretnik shoqëror, si dhe përpjekjet për të krijuar mundësi për funksionimin e plotë teknik dhe operacional të AZGJ-së dhe, në këtë kontekst, shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Delegacionin e BE-së për të mbështetur qëllimet dhe planet nga programi i AZGJ-së.
Ambasadori Zhbogar falënderoi drejtorin Sela për ftesën e tij, për të vizituar Agjenicinë për Zbatimin e Gjuhës dhe shprehu kënaqësi për entuziazmin dhe motivimin me të cilin drejtori Sela po përmbush misionin dhe qëllimin për të cilin u themelua AZGJ-ja. Ambasadori Zhbogar shprehu interes për punën dhe projektet e planifikuara të AZGJ-së dhe shkëmbyen mendime me drejtorin Sela për sfidat e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës, veçanërisht në gjyqësor.
Gjatë vizitës, Ambasadori Zhbogar dhe bashkëpunëtorja e tij shfaqën interesim edhe për kushtet në të cilat funksionon AZGJ-ja ku planifikohet edhe krijimi i një qendre trajnimi për përkthyes dhe lektorë të kombinimeve gjuhësore maqedonisht-shqip dhe shqip-maqedonisht për nevojat e institucioneve publike. Të dyja palët theksuan angazhimin e tyre për të vazhduar dialogun e përbashkët si dhe komunikimin e rregullt dhe analizën e mundësive për të mbështetur AZGJ-në për të zbatuar projektet e planifikuara.

Marketing
Marketing