Ambulanca e Gjorçe Petrovit e harruar nga shteti (Video)

Mure të shkarravitura dhe përplot grafite.
Pa dritare, pa ngrohje dhe dysheme e dëmtuar.
Kjo është ambulanca e Gjorçe Petrovit.

Marketing

Kjo shtëpi e shëndetit është dhënë me koncesion, por sipas mjekëve mirëmbajtjen e saj duhet ta bëjë Ministria e shëndetësisë.

Tmerrin në këtë spital, e zbusin fytyrat e buzëqeshura të fëmijëve.

Verica Mançevska, gjithë jetën e saj ka punuar në këtë ambulancë, thotë se u mundua që të bëjë më të mirën për pacientët e saj, por ata po ikin nga aty, për shkak kushteve minimale. Ajo shprehet e zhgënjyer nga ministrat e shëndetësisë.

“E lus, jo për mua, jo për neve, ne këtu e nxjerrim bukën, do t’i durojmë kushtet ashtu sikur janë, por për fëmijët tanë. Le të mendojnë, edhe struktura që ishte më herët, edhe kjo tani, a do ta dërgojnë nipin e tyre këtu tek mjekja, Verica Mançevska. Punojmë në këto kushte të rënda, për mua nuk është rëndë, se i dua pacientët e mi dhe fëmijët, megjithatë kushtet për punë janë më shumë se të këqija”, tha ajo.

Edhe banorët thonë se kanë pasur shumë premtime, por ato nuk u realizuan kurrë.

“Kushtet janë, çfarë të ju them, jo normale, katastrofë. Kjo ambulancë u ndërtua për kohë të shkurtër, para 35-40 vjetëve dhe se deri tani duhej të rinovohej. Kjo nuk duket si ambulantë, por si ndonjë ahur”, tha Blagoja Spasovski, banor i Gjorçe Petrovit.

Kjo ambulancë është ndërtuar për shërbime të përkohshme, në vitin 1963 pas tërmetit. Prej atëherë në këtë ambulancë asgjë nuk u investua. Tv21 kontaktoi me ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai tha se ka një projekt për ndërtimin e ambulancës, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me komunën e Gjorçe Petrovit dhe me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, që në të njëjtin vend të ndërtohet objekt i ri.

Marketing