Ameti: Kongresi i Manastirit një nga ngjarjet më të mëdha për mbarë popullin shqiptar

Me rastin e 112 – vjetorit të Kongresit të Manastirit, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti shprehu urime e tij në nder për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje historike.

Marketing

Në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë e veçantë t’ua uroj

Kongresi i Manastirit është padyshim njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore e shekullit të kaluar për mbarë popullin shqiptar, të cilit i janë referuar dhe i referohen vazhdimisht historianë, gjuhëtarë, etnologë, intelektualë shqiptarë dhe të huaj.

Vendimet e kongresit që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes sonë, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim.

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.

Përcaktimi i kombit shqiptar për alfabetin latin kishte për të një rëndësi të jashtëzakonshme. Një përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se shqiptarët janë një popull evropian – pjesë e pandarë e qytetërimit perëndimor.

Ne, sot, përulemi me nderim për të gjithë aktorët e kësaj ngjarjeje kaq të madhe historike dhe me dinjitet e nderojmë ditën e Alfabetit shqip në përvjetorin e tij të 112 me radhë.

Gëzuar përvjetorin e shkronjave shqipe, gëzuar festat e nëntorit, theksohet në urimin e Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës.

Marketing