Ende nuk dihet se i njëjti do të mundësojë amnisti totale apo të pjesërishme. Nga VMRO-DPMNE thonë se pa marrë pjesë në punën e këtij trupi do të mbështesin vetëm vendimet për amnisti të plotë. Këtë e parashikon edhe propozim ligji i tyre, i cili do të shqyrtohet më 26 nëntor.

“Në mënyrë aktive do të ndjekim se çfarë do të miratohet. Nëse kanë për qëllim të sjellin vendime të ngjashme apo të njëjta me Ligjin për amnisti të cilin e dorëzuan deputetët e VMRO-DPMNE-së e që ka të bëjë për amnistinë e të gjithë të përfshirëve në ngjarjet e “27 prillit”, ne mund të bisedojmë dhe të mbështesim aktivitete të caktuara, por kjo do të jetë jashtë këtij trupi”,- theksoi koordinatori i VMRO-DPMNE-SË, Nikolla Micevski.

Nga grupi i pavarur i VMRO-së i bëjnë thirrje partisë amë që të jenë pjesë e marrjes së vendimeve në trupin e pajtesës. Pohuan se amnistia do të shkojë në pako me ligje të tjera dhe do të jetë gati kah mesi i dhjetorit.

“Do të jenë edhe ngjarjet e 27 prillit. Kjo do të adresohet në një zgjidhje në pako e cila do të përfshijë edhe ndryshimet kushtetuese, procesin e pajtesës dhe reformat ligjore të cilat do të ndikonin në nisjen e bisedimeve në qershor të vitit të ardhshëm. Unë dhe pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në këtë trup koordinues e shohim këtë si një proces komplet”,- theksoi deputetja e pavarur e VMRO-së, Emilija Aleksandrova.

LSDM do të pres zgjidhjen nga trupi i pajtesës, duke shpresuar në transparencën mbi ngjarjet e “27 prillit”.

“Në opinion është i pandarë mendimi për dallimet në përgjegjësi që kanë të bëjnë me organizimin e atyre ngjarjeve, kryerjen e dhunës, përgjegjësia e dhënies së komandove dhe qytetarët atje të cilët s’kanë kryer kurrfarë dhune. Jam i bindur se e gjithë kjo do të përfshihet”,- tha Hari Llokvenec nga LSDM.

Kryeministri, Zoran Zaev, ditë më parë ka deklaruar se mund të ketë amnisti për ngjarjet e “27 prillit”, por vetëm për ata që se ushtruan direkt dhunën.