Në shumë shtete të Evropës, por edhe më gjerë, Maqedonia nuk ka ambasadorë. Me të tillë vendi përfaqësohet vetëm në Austri, Bullgari, Gjermani, Greqi, Kosovë, Rusi, Turqi, Ukrainë, Hungari, Brazil, Kanada dhe SHBA. Në mungesë të ambasadorëve, mbizotërojnë ushtruesit e detyrës të cilët e përfaqësojnë vendin në 29 përfaqësi diplomatike-konsullore. Me ushtrues detyre funksionojnë përfaqësitë e Maqedonisë në Belgjikë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Britani të Madhe, Shqipëri, Holandë, Estoni, Danimarkë, Norvegji, Poloni, Rumani, Slloveni, Serbi, Francë, Kroaci, Mal të Zi, Itali, Vatikan, Suedi, Çeki, Zvicër, Spanjë, Egjipt, Katar, Australi, Izrael, Kinë dhe Indi. Mungesa e ambasadorëve, sipas diplomatit Viktor Gaber, bën që mos të mbrohen dhe afirmohen interesat e Republikës së Maqedonisë. Sipas tij ushtruesit e detyrës nuk mund ta bëjnë detyrën e ambasadorit.

“Thelbi tek ne qëndron në bllokadën politike e cila ekziston për momentin, që është propozimet e ministrisë të dërguara në Qeveri dhe që janë miratuar nga partitë politike, por ato propozime nuk marrin pëlqim nga ana e Presidentit”, tha Viktor Gaber – ish-ambasador.

Gaber gjithashtu tha se ka kapacitete diplomatike për të dërguar ambasadorë në vendet ku ata mungojnë. Por ai gjithashtu tha se ka informacione, se Presidenti Ivanov ka refuzuar listën e Qeverisë me propozime për ambasadorë të rinj. Fajin për mosemërimin e ambasadorëve, edhe analisti Albert Musliu e gjen tek Presidenti Gjorge Ivanov, i cili, sipas Musliut, vepron sipas politikave të VMRO-DPMNE-së.

“Ajo absolutisht e dëmton, veçanërisht në shtete të Unionit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ne tentojmë të bëhemi partner të barabartë me ta, nëpërmjet anëtarësimit në NATO dhe Unionin Evropian. Çdo mosveprim në atë drejtim është shprehje joserioziteti e palës që dëshiron të bëhet anëtare atje. Mendoj se edhe partnerët tanë euroatlantikë kanë mirëkuptim për të gjithë atë obstruksion që e bën Kryetari, janë të vetëdijshëm për atë, dhe e dinë se kjo nuk është shprehje e mungesës së profesionalizmit, por është shprehje e një papërgjegjësie politike të cilën kryetari në vazhdë është duke e implementuar për vite me radhë”, tha Albert Musliu – analist.

Mungesa e ambasadorëve do të vazhdojë deri sa Ivanovi të jetë President i vendit, mendon Musliu. Ditë më parë, pas tre seancave të dështuara, në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvend, 4 ambasadorë të rinj prezantuan platformat e tyre diplomatike.

Kështu, pas përfundimit të të gjitha procedurave, së shpejti Maqedonia pritet që më në fund të dërgojë ambasadorë në Britani, Norvegji, Poloni dhe Mal të Zi. Vendi gjithashtu nuk ka ambasadorë as në misionet e përhershme, si në OSBE, në Vjenë, e as në përfaqësitë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe Nju Jork.