Analistët: Porositë e ndërkombëtarëve paraqesin mbështetje për eurointegrimin e Maqedonisë

Ofensivën e fundit të diplomateve ndërkombëtarë të cilët javën që lamë pas vizituan vendin, njohësit e rrethanave politike e vlerësojnë si mbështetje ndaj të gjitha proceseve të filluara, zbatimi i të cilëve garanton perspektivë europiane për Maqedoninë.

Profesori universitar Qashif Bakiu për TVM2 thotë se vizita e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s , kryeministrit austriak, kancelares gjermane, si dhe vizitat e tjera të cilat do të pasojnë edhe gjatë fushatës nga diplomatë europianë dhe amerikanë, janë tregues që vendi është para momenteve historike të cilat duhet të shfrytëzohen nga ana qytetarëve përmes daljes në referendum.

“I gjithë faktori ndërkombëtar siç janë zyrtarë të lartë të NATO-s, BE- së, SHBA –ve, japin sinjale shumë të qarta se epilogu pozitiv i referendumit duhet të mos jetë i diskutueshëm…. Mendoj se pikërisht ardhja e tyre në Maqedoni zhvillohet përmes bisedimeve jo vetëm me pushtetin por edhe me opozitën serioze që ka shprehur rezervë ….Këto vizita nuk kanë të bëjnë me presion ndaj partive politike opozitare, por sqarime për qytetarët të cilët kanë ndonjë dyshim nëse referendumi në fjalë është momenti më pozitiv për shtetin”, tha Qashif Bakiu, profesor universitar.

Vizitat e përfaqësuesve më të lartë europian për profesorin universitar Mersim Maksuti, janë dëshmi që BE gjithmonë është në përkrahje të shteteve që janë përcaktuar si pro-europiane. Qëllimi i tyre është që t’i bindin qytetarët se referendumi është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vullneti i tyre nuk duhet të ndikohet nga politika.

“Çështja e referendumit dhe përcaktimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike dhe pro-europiane është në interes të qytetarëve dhe jo të partive politike, dhe është i vetmi rast ku shprehja e vullnetit në referendum nuk duhet të ketë ngjyra politike dhe përkatësi partiake dhe dalja për sukses të referendumit duhet ti takojë vetëm qytetarëve të këtij vendi”, tha Mersim Maksuti, analist politik.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, të premten ju bëri sërish thirrje të gjithë pjesëmarrësve, për një fushatë korrekte në mënyrë që qytetarët të marrin vendimin e duhur.