Analizë: Ivanovi ballafaqohet me tre padi, nuk paguan qira në Tetovë

Pagesa e kompensimit për personin fizik për shfrytëzimin e hapësirës afariste në Tetovë, tri raste gjyqësore në të cilat palë e paditur është Kryetari i Republikës së Maqedonisë, mungesa e dispozitave për rregullimin e nivelit të pagës së këshilltarëve të veçantë në disa institucione – këto janë pjesë e gjetjeve dhe vërejtjeve në raportet e revizionit të cilët hetuan llogarinë e Buxhetit bazë dhe llogarinë e Buxhetit të donacioneve – trajnim ndërkombëtar për udhëheqësit e rinj të Kabinetit të Kryetarit të Republikës së Maqedonisë. Për pasqyrat financiare për vitin 2017, revizioni shpreh opinion pa rezerva për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, si dhe për harmonizimin e legjislacionit. Nga personi përgjegjës, revizorët nuk morën asnjë koment në lidhje me Draft-raportin, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Marketing

Pagesa e kompensimeve, llogaritja e pagave, padi…

Revizorët në vitin 2017 kanë konstatuar disa çështje që kanë të bëjnë me papajtueshmërinë dhe kanë të bëjnë me të drejtën e privuar të shfrytëzuesit për shfrytëzimin e hapësirës afariste, kalimin e gjësendeve të lëvizshme-librave nga një institucion në një tjetër, ka procedura gjyqësore në zhvillim dhe kryerje të korrigjimeve të kontabilitetit gjatë revizionit. Për dhuratat e pranuara në zyrën presidenciale ka një regjistër sipas llojit, sasisë dhe vitit të pranimit, por nuk është bërë vlerësim për to, për një pjesë të sendeve të paluajtshme nuk ka sigurim të plotë për mbrojtje nga situata të paparashikuara.

“Kabineti i Kryetarit ka mbajtur evidencë për sasinë dhe vlerën e dhuratave të marra gjatë viteve të kaluara, por jo edhe evidencë kontabiliteti për shkak të vlerësimit të parealizuar për përcaktimin e vlerës së të njëjtëve. Gjatë realizimit të revizionit, Kabineti ka paraqitur një kërkesë në Byronë për ekspertizë gjyqësore për vlerësimin e vlerës së artikujve për qëllime kontabiliteti”- thuhet në raportin e revizionit. Interesant është rasti i përdorimi të hapësirës për zyrë për “Zyrën e Popullit” në Tetovë. Në vitin 2010, Kabineti i Kryetarit e merr hapësirën për përdorim pa pagesë, por në vitin 2015, kjo hapësirë për zyrë i shitet një personi fizik dhe vendimi me të cilën institucioni kryetar menaxhon me zyrat nuk tërhiqet, pas së cilës nga tetori vitit 2016, pronarit – qiradhënësit të lokalit të biznesit i paguhet qira. Kështu që, revizioni konstaton: “Për shkak të nevojës për shfrytëzim të mëtutjeshëm të lokalit afarist për nevojat e zyrës popullore në Tetovë, Kabineti i Kryetarit paguan qiranë për shfrytëzimin e hapësirës së deklaruar në bazë të një marrëveshjeje të lidhur me një person fizik, pronar i lokalit afarist”.

Me vendim të qeverisë gjatë vitit 2015 dhe 2017, Kabinetit të Kryetarit i jepen për përdorim të përhershëm libra në vlerë prej 103 000 denarë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës. Por revizioni zbulon se deri në momentin e revizionit nuk është bërë pranim-dorëzimi i librave. “Në kontratë është parashikuar se pranim-dorëzimi i librave do të bëhet me procesverbal, pas së cilës Ministria e Kulturës merr përsipër që në regjistrat e saj kontabël t’i shlyej artikujt e lëvizshëm-libra që janë subjekt i pranim-dorëzimit, kurse Kabineti i Kryetarit t’i fus ato në regjistrat e tyre kontabël. Theksojmë se deri në momentin e kryerjes së revizionit nuk është realizuar pranim-dorëzimi i librave” thuhet në raportin e revizionit. Revizioni zbulon se institucioni i Kryetarit është pala e paditur në tre raste gjyqësore. “I kushtojmë vëmendje ekzistimit të pasigurisë në lidhje me rezultatin e tre procedurave gjyqësore në të cilat i pala e paditur është Kryetari i Republikës së Maqedonisë – Kabineti i Kryetarit në bazë të ushtrimit të së drejtës për pagesën e shtesës së pagës për vitet e përvojës së fituar nga punonjësi në Kabinet në vlerë prej 40 mijë denarë. Rezultati nga procedurat gjyqësore mund të ndikojë në shumën e harxhimeve të Kabinetit në periudhën e ardhshme”- vë në dukje revizori dhe konstaton mospërputhje në lidhje me rregullimin e pagave të këshilltarëve të posaçëm: “Me analizën e dispozitave të ligjit të lartpërmendur, ne kemi konstatuar mungesën e dispozitave për rregullimin e nivelit të pagës së këshilltarëve të veçantë në disa institucione të veçanta”.

Revizori gjithashtu vë në dukje koeficintët për përllogaritjen e pagave, kështu që theksohet:

“Theksojmë se në dispozitat e ligjit të lartpërmendur, përveç pozitës së zëvendëssekretarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për të cilin është definuar koeficienti në lartësinë e 3.4, nuk ka koeficient të përcaktuar për konfirmim e pagës për kategorinë zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kabinetit të Kryetarit”.

Revizioni gjithashtu rekomandon dhe precizon vendimin që rregullon pagesën e kompensimeve për anëtarët e komisioneve dhe grupeve punuese të përhershme dhe të përkohshme, të formuara nga institucioni Kryetar, kompensimi i të cilave është 6,000 denarë për seancë të mbajtur.

“Rishikim dhe plotësim të mëtutjeshëm të: rregullimit ligjor dhe nënligjor në pjesën e përcaktimit të shumës dhe mënyrës së përllogaritjes së pagës së këshilltarëve të veçantë. Rishqyrtim i koeficientit të përcaktuar për përllogaritjen e pagës së sekretarit të Kabinetit të Kryetarit në Ligjin për paga dhe kompensim tjera të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar. Vendimi për organizimin dhe fushëveprimin e punës së Kabinetit të Kryetarit në lidhje me përcaktimin e së drejtës për kompensim të anëtarëve të organeve të punës të përhershme dhe të përkohshme”- thuhet në rekomandimet e revizionit.

Pas draft raporteve, u mbajtën takime me personin përgjegjës, por nuk janë dorëzuar vërejtje lidhur me gjetjet e revizorit.

Marketing