Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, ka bërë të ditur se e vlerëson si të vështirë grupin e klubit të tij në Ligën e Kampionëve, kundër Paris Saint-Germainit, Liverpoolit dhe Crvena Zvezdas. Për më tepër, ai ka thënë se ndeshja në Beograd mund të jetë e vështirë për shkak të ambientit.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së tretë të Serie A-së kundër Sampdorias, e cila do të luhet nesër, Ancelotti iu është përgjigjur gazetarëve në pyetjet për shortin e Ligës së Kampionëve të mbajtur të enjten në Monako, transmeton Gazeta Express.

“Do të jetë e vështirë, në grup kemi klube që do të jenë të një niveli të lartë, si dhe do të kemi një klub si Crvena Zvezda. Ne e dimë ambientin në Beograd, kam qenë aty më parë dhe e di se si është të luash në Beograd”, ka thënë Ancelotti.

“Nuk mendoj se shokët tanë italianë në PSG, Buffoni dhe Verratti, do të na shërbejnë me shampanjë. Ndoshta Liverpooli na ka treguar se cfarë skuadre janë kur kemi luajtur kundër tyre në një ndeshje miqësore. Ne kemi disa sekrete dhe do t’i përdorim ato”.

“Napoli do ta fillojë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve më 18 shtator, kur do të udhëtojnë në Beograd për t’u përballur me Crvena Zvezdan.