Ancelotti : Ky është gabimi i vetëm i Ronaldos në Itali

“Gabimi i vetëm i Ronaldos është që ka shkuar te Juventus”. I këtij mendimi është trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti i cili në një intervistë për “France Football”, ka folur për ndeshjen e së mërkurës ku do të përballet me PSG, e vlefshme për Champions League, por nuk ka nguruar që të bëjë edhe një koment për ardhjen e portugezit në Itali.

Marketing

“Ardhja e Cristiano Ronaldos është një shenjë e shkëlqyeshme për imazhin e Seria A. Për një kohë të gjatë, Seria A ishte kampionati ku luanin yje si Maradona, Platini, Zico, Zidane, Ronaldo, Shevchenko, Kaka, Ibra…Tani mbërritja e portugezit do ta rikthejë vëmendjen e tifozëve. Është një profesionist i madh, gabimi i vetëm është që ka shkuar te Juventus. (Qesh)”, u shpreh Ancelotti.

Duke u ndalur tek Napoli, tekniku 59-vjeçar ka vlerësuar ekipin, sipas së cilit është një grup shumë cilësor, teksa ka theksuar se ndonjëherë duhet të guxojë më shumë.

“Sot është ndryshe, ne nuk kemi Maradona-n, por kemi ndërtuar një ekip të një niveli të lart, veçanërisht me të rinjtë. Napoli ka luajtur shumë mirë për disa vite tani, kështu ka cilësi, unë do të përpiqem të sjell një eksperiencë të re, të ndihmoj ekipin të ketë një personalitet dhe shpesh më tepër guxim kur luajmë jo shumë mirë”, tha ai, teksa nuk ka nguruar të bëjë edhe një koment për kundërshtarët.

“Është mirë të shohësh se si klubi po rritet, është një nga më të mirat në Europë. PSG mund të fitojë Ligën e Kampionëve, kjo është e sigurt”, u shpreh Ancelotti.

Duke u ndalur tek mënyra e lojës, 59-vjeçari ka hedhur poshtë komentet që flasin për një “Ancelotti style”, duke theksuar se në këtë drejtim është shumë ndryshe nga trajnerët e tjerë.

“Nuk është një “Ancelotti style”, sepse unë e ndërtoj ndeshjen time sipas karakteristikave të lojtarëve të mi, disa trajnerë fillojnë me një ide dhe përpiqen të marrin lojtarët që të kenë atë stil, ndërsa unë shikoj atë që kam dhe unë përshtat stilin tim tek ata “, përfundoi tekniku italian në intervistën e tij për “France Football”.