Anëtari i PE-së: Zyrtarët kosovarë të tejkalojnë vështirësitë për hir të virusit korona

Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, u ka bërë thirrje zyrtarëve në Kosovës që të qëndrojnë të bashkuar në ato që i ka cilësuar si kohëra të vështira, për të mundësuar funksionimin e qeverisë në vend të prodhimit të krizës politike.

Marketing

Sipas tij, ata duhet të veprojnë së bashku për të tejkaluar vështirësitë, për hir të koronavirusit, të cilin e ka cilësuar armik të përbashkët.


Deklaratat e tij vijnë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.

“Përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë Kryeministrit Kurti që të reflektojë sot në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin e ulët ndaj tij. Por, Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj, sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime”, ka thënë LDK përmes një postimi në Facebook.

Vendimi për mocion është marrë pasi kryeministri Kurti ka shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Pas vendimit për nisje të procedurave për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, Mustafa ka zhvilluar takime me liderë të partive opozitare në Kosovë, dhe deri më tani ka fituar përkrahjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosoves, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re për rrëzim të qeverisë.

Së fundmi edhe Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se përkrah mocionin e mobesimit, por “pa ndryshuar statusin aktual politik”.

Kuvendi pranon kërkesën për mocion mosbesimi ndaj qeverisë

PDK përkrah mocionin e mosbesimit, por preferon opozitën

Këto zhvillime politike në Kosovë zhvillohen në kohën e përhapjes së koronavirusit.

Të enjten mbrëma, qytetarët në Prishtinë kanë protestuar kundër krizës qeveritare, duke bërë zhurmë nga ballkonet e tyre.

Marketing