Angjushev: Presim që në vitin 2019 të ketë rritje të investimeve të huaja

Zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për Çështje Ekonomike dhe për Koordinim të Dikastereve Ekonomike, Koço Angjushev sot theksoi se investimet e huaja direkte në vend për vitin 2018 thyen rekord prej 624.49 milionë eurosh, duke theksuar se pret që në vitin 2019 të jenë më të mëdha falë përkushtimit të Qeverisë si dhe inkuadrimit në NATO.

Marketing

“Në vitin 2018 në Republikën e Maqedonisë së Veriut kemi investime të huaja direkte që janë për 276 për qind më të mëdha nga mesatarja e tetë viteve paraprake ose për 82 për qind më të mëdha krahasuar me vitin më të mirë, respektivisht vitin 2011”, theksoi Angjushev.

Potencoi se numrat në mënyrë praktike tregojnë se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev dhe ekipi i tij ekonomik ka vizion të qartë për industrializimin e shtetit, për modernizimin e vendit dhe krijimin e vendeve të punës mirë të paguara.

“Të gjithë këta investitorë, 18 me numër, të cilët tanimë kanë nënshkruar në shtetin tonë dhe ndërtojnë fabrika, janë kompani që nuk krijojnë vende të lira pune. Të gjitha këto janë kompani që e kanë nënshkruar klauzolën se pagat do të jenë mbi 300 euro dhe shumë më të larta, ato janë kompani që praktikisht krijojnë më shumë vende pune për kuadro me edukim të lartë dhe profesionalistë”, sqaroi Angjushev.

Ai shprehu pritje, falë përkushtimit të Qeverisë, si dhe inkuadrimit të vendit drejt NATO-s, që i jep stabilitet shtetit dhe i nxit investitorët e huaj, që numri i investimeve në Maqedoninë e Veriut për vitin 2019 të jetë më i madh.

“Ligji për mbështetje financiare të investimeve, e kuptuan kompanitë nga bota dhe në mënyrë intensive vijnë dhe nënshkruajnë marrëveshje”, potencoi Angjushev.

Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike-Industriale (DZZHTI), Aleksandar Mlladenovski tha se rritja e eksportit në zonat zhvillimore teknologjike industriale në vitin 2018 ka qenë rreth 20 për qind, duke potencuar se ka arritur rreth dy e gjysmë miliardë euro, përderisa importi ka arritur rreth dy miliardë euro.

“Përgjithësisht zonat i zhvillojmë me rritëm të përshpejtuar. Në Shkup, deri në fund të vitit do të fillojmë me realizimin e Shkupit 3, në Shtip do të fillojmë me realizimin e gazsjellësit, në Strumicë tanimë ndërtohet pjesa e fundit nga zona e terminalit, në Prilep po ndërtojmë udhëkryqin, ujësjellësin, kanalizimin e mbaruam, në Strugë po ndërtojmë udhëkryqin, në Kërçovë do të mbarojmë me realizimin e infrastrukturës së brendshme”, deklaroi Mlladenovski.

Tha se në periudhën e ardhshme do të intensifikohen punët rreth përfundimit të marrëveshjeve që ishin në bisedime në kohën e fundit.

“Shpresojmë se për një periudhë të shkurt kjo do të rezultojë me një numër të madh të vendeve të punës” potencoi drejtori i DZZHTI-së.

Marketing