Ankthi është kudo në rritje: Ja cilat janë 7 hapat për ta reduktuar atë

Nga Jelena Kecmanovic

Marketing

Çrregullimet e ankthit, janë grupi më i zakonshëm i çrregullimeve psikologjike. Rreth 19 për qind e popullsisë amerikane, vuan çdo vit nga një çrregullim ankthi, dhe 31për qind gjatë jetës së tyre. Këto shifra, janë edhe më të larta për gratë dhe adoleshentët e sotëm. Edhe në botë të dhënat janë shqetësuese.

Por, pse po shtohet ankthi tek njerëzit? Një nga shpjegimet e ekspertëve, është se njerëzit, po mësohen të shmangin gjithnjë e më shumë shqetësimet e çdo lloji, emocionet negative apo edhe dhimbjen. Dhe vështirësia me këtë qasje lind nga fakti se dhimbja, frika, trishtimi, dhe ndjenjat e tjera të pakëndshme janë të kudogjendura, ato janë pjesë e pashmangshme e përvojës normale njerëzore.

Dhe kur ne me vetëdije ose jo tentojnë t’i shmangim, të arratisemi prej tyre apo t’i minimizojmë këto emocione normale njerëzore, ata mund të zhduken për pak kohë, por gjithmonë rikthehen “për të marrë hak”. Por, situata nuk është e pashpresë. Ja cilat janë 7 hapat që mund të ndiqni për të zhdukur ankthin që ju rrethon.

Bëni nga një gjë ndryshe çdo ditë, pa ndonjë arsye speficike
Kjo është këshilla që jepte Uilliam Xhejms, një nga themeluesit e psikologjisë amerikane, në librin e tij të vitit 1890 “Zakoni”. Ajo është ende e zbatueshme edhe më shumë se 100 vjet më vonë. Një nga këto gjëra ndryshe, mund të jetë bërja dush me ujë më të ftohtë se zakonisht, parkimi i makinës paksa më tej hyrjes së dyqanit, në mënyrë që të detyrohesh të ecësh në shi, ose të tolerosh urinë për 15 minuta më shumë se sa zakonisht, para se të hash.

Lejojeni partnerin apo fëmijën tuaj, të bëjë diçka që zakonisht ju bën të mos ndiheni rehat. Ose hani vetëm në një restorant, apo shihni vetë një film në shtëpi
Përtej masave të përbashkëta të sigurisë, vini se re prirja juaj për të protestuar diskutuar apo ndaluar diçka, rrjedh nga ankthi dhe shqetësimi juaj. Prandaj, për disa orë lërini gjërat në rrjedhën e tyre spontane. Do të ndiheni jo vetëm më pak të shqetësuar në planin afatgjatë, por ndoshta do të përmirësoni marrëdhëniet tuaja, dhe të stimulojë qëndrueshmërinë tek fëmijët tuaj.

Mos shmangni lajmet mbi vdekjen
Një nga psikologët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Rollo May, ka folur shumë mbi ankthin ekzistencial, frikën nga vdekja me të cilën janë të detyruar të jetojnë të gjithë njerëzit. Ai theksoi se ajo që përcakton nëse do të prekemi apo ajo nga një ankth problematik, është mënyra si ne merremi me faktin se të gjithë një ditë do të pushojmë së ekzistuari (të paktën në të njëjtën formë si tani kur jemi gjallë).

Nëse ne “shkatërrohemi” psikologjikisht nën peshën e frikës nga vdekja, dhe paralizohemi nga ajo, ka të ngjarë që të zhvillojmë çrregullimet e ankthit. Nëse e pranojmë këtë frikë, dhe jemi të motivuar ta jetojmë çdo ditë si të ishte fundit, nuk do te kemi probleme.

Kujtoni veten se jemi në këtë Tokë për një kohë të kufizuar, ndaj nuk ka kohë për të humbur. Mos i shmangni funeralet, përmendoret, varrezat, leximin e nekrologjive, apo të shikuarit e filmave që trajtojnë temën e vdekjen. Sikurse shkroi Randi Paush në librin e tij bestseller “Leksioni i fundit”, mos prisni derisa të diagnostikoheni me ndonjë sëmundje të pashërueshme “për të shijuar momentin”.

Kur diçka ju mërzit në një marrëdhënie, thuajeni sa më shpejt që të jetë e mundur
Ne përgjithësi, ne njerëzve nuk na tërheqin “binjakët” tanë psikologjikë, prandaj njerëzit që lidhemi dhe më pas martohemi, kanë gjasa të jenë ndryshe nga ne. Dhe kjo është diçka normale. Po e tillë është edhe pasja e mendimeve të ndryshme mbi një sërë temash, si për nevojat, preferencat dhe temperamentin.

Një shenjë dalluese e një marrëdhënieje të mirë, nuk është mungesa e diskutimeve apo mosmarrëveshjeve, por mënyra se si i menaxhoni ato. Prandaj flisni, edhe nëse kjo ju bën ndonjëherë të ndiheni në siklet. Sa më shpejt që ta thoni diçka që ju shqetëson, ju brengos ose ju lëndon, aq më e lartë është mundësia që ju mund ta diskutoni atë në një mënyrë konstruktive – dhe më të ulëta do të jenë shanset që ankthi juaj të mbërrijë kulmin.

Provoni gjëra të reja, edhe nëse kjo do të thotë të shkoni përtej zonës tuaj të rehatisë
Disa njerëz janë më të hapur të provojnë ushqime të reja, të udhëtojnë në vende të reja, apo të eksperimentojnë me aktivitete të reja. Për të tjerët, këto mund të ngjallin shumë frikë. Këta të fundit e pëlqejnë pasigurinë dhe të panjohurën, ndaj përpiqen që ta shmangin atë sa më shumë që të jetë e mundur. Por, vetëm duke pranuar frikën nga pasigurisë, dhe duke e shtyrë veten me butësi përtej zonës sonë të rehatisë, ne mund të shmagim ankthin afatgjatë.

Mjaft duke qenë “të zënë” në çdo moment, shihni atë që ndodh
Nuk ka nevojë që të jeni të fiksuar pas punës, për të pranuar se nganjëherë e mbajmë veten shumë të zënë në mënyrë që të mos merremi me mendimet dhe ndjenjat tona. Kjo është një frikë e vjetër, por interneti e ka bërë pafundësisht më të lehtë, të mos qënit kurrë i qetë. Në librin e saj të ri, Xheni Odell, përpiqet të na mësojë “si të mos bëjmë asgjë”.

Të paktën për pak kohë. Duke i lejuar të shfaqen emocionet, imazhet, kujtimet dhe ndjesitë fizike gjatë këtyre momenteve, ne mund të mësojmë ngadalë që t’i pranojmë ato pa gjykim. Ndoshta, vëzhgimi i mendjes dhe i trupit tonë nuk është aq i frikshëm sa duket. Dhe ndoshta, mund të mësojmë edhe diçka të dobishme për veten tonë.

Kaloni kohë në natyrë, duke përfshirë edhe ushtrimet fizike
Kontakti i domosdoshëm me natyrën, i ka mbrojtur njerëzit nga ankthi problematik në shumë mënyra. Ne, mund të nxjerrim shumë justifikime për të mos dalë në natyrë. Aty mund të ketë insekte, terreni i papërshtatshëm, moti i paparashikueshëm, kafshët e rrezikshme, shumë ose pak diell, terreni baltë etj.

Gjithashtu, mund të kemi frikë se jemi shumë larg “qytetërimit”, në rast se kemi nevojë për ndihmë. Është koha të përballeni me këto frikëra që keni në kokë, dhe të hyni në natyrë. Për disa, kjo do të thotë të shkosh në parkun e afërt. Për të tjerët, udhëtime në vende turistike më të largëta. Pavarësisht hapave të vogla dhe të mëdha, ato do të thyejnë zakonin e mëparshëm, dhe do të na vendosin në kontakt me burimet e shëndetit të mirë fizik dhe mendor.

“Psychology Today” – Bota.al

Marketing