ANKVSH prezentoi koncertin tematik në Kërçovë kushtuar këngëtarit të melosit burimor R. Zajazi

Koncerti tematik i Ansamblit shtetror të këngëve dhe valleve shqiptare që u mbajtë mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Kërçovë, filloi me prezentimin e dokumentarit filmik dedikuar jetës dhe karierës artistike të këngëtarit që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare Rexhep Zajazi.
Materiali filmik shpalosi vlerat dhe karakteristikat e interpretimit të melosit burimor të Kërçovës, këngët më të bukura dhe origjinale të cilat Trio “Zajazi”i ka prezentuar denjësisht në Prishtinë, Beograd, Opati, Kiev, Varshavë dhe Vienë.
Me këngët “Shtatë bilbilat” Trio Zajazi fiton çmimet e para në  Kongresin e shtatë të Folklorit më vitin 1960 dhe në Dizhon të Francës më vitin 1959. kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i shprehu mirënjohje ansamblit shtetror dhe drejtorit Shkodran Tolaj, për nderin që i bëhet Kërçovës me këtë koncert artistik kushtuar Trio Zajazit dhe melosit burimor të Kërçovës.
Trio Zajazi edhe sot konsiderohet si zëri më origjinal kërçovar i të gjitha kohërave që arriti ta ritmizojnë këngën kërçovare dhe ta nxjerrë atë nga kufinjtë e lokalitetit duke e popullarizuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Dhe një pjesë e këtij repertori të këngëve burimore u interpretuan në mënyrë të shkëlqyeshme nga solistët e njohur të ansamblit, Salajdin Miftari, Jetmir Rexhepi, Zekirja Lamallari, Besarta Murtezani, Era Azemi, Agron Kalisi dhe Kastriot Latifi.
Në këtë mbrëmje shkëlqeu edhe grupi i vallëtarëve të ansamblit me vallen Trashëgimtarët e Uskanës, një valle e nivelit profesional koreografik me motive nga Kërçova, e cila me muzikën e Valton Beqirit dhe koreografinë e Artan Ibershimit, përcjellë trashëgiminë, ritet, doket dhe zakonet e kësaj ane. Ky manifestim është mbështetur nga Ministria e Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Marketing