U anulua për më 3 shkurt seanca gjyqësore për Naser Eshtrefin, i cili akuzohet se në maj të vitit 2014 ka goditur për vdekje Angel Petkovskin. Procesi gjyqësor u shty, pasi që dëshmitari dhe dy ekspertët të cilët duheshin të dëshmonin para trupit gjykues nuk erdhën.

“Kam kontaktuar me dëshmitarin Martinovski dhe ai më ka thënë që nuk mundet të vijë në këtë seancë pasi që është i sëmurë nga COVID-19. Edhe pse ai tani evidentohet si i shëruar, megjithatë vazhdon të jetë i sëmurë nga sëmundjet tjera që i ka shkaktuar virusi Korona. Më tha që në seancën e radhës do të marrë pjesë.”,- tha gjykatësja Dijana Gruevska Ilievska.

Ekspertët e propozuar nga pala mbrojtëse, njëri psikiatër, ndërkaq tjetri psikolog, të cilët duhet të raportojnë për gjendjen e Eshtrefit, nuk kanë ardhur pasi që gjykata nuk u ka dorëzuar ftesë zyrtare dhe me këtë nuk kanë mundur që ta arsyetojnë mungesën e tyre në vendin e punës, njoftoi avokatja.

Por, gjykatësja kërkoi që avokatja t’ua përcjellë porosinë se pavarësisht nëse nuk kanë ftesë zyrtare, edhe ftesa me gojë llogaritet si e tillë dhe kur të vijnë do të marrin vërtetim për ta arsyetuar mungesën në punë.

Prokuroria vazhdon ta akuzojë Naser Eshtrefin për vrasje me paramendim, sipas të cilit dhe u dënua me 14 vjet burg, por mbrojtja thotë se vepra është kryer pa paramendim, në afekt dhe në mbrojtje të nevojshme.

Incidenti ka ndodhur lidhur me një biçikletë të cilën thuhet se i akuzuari e kishte vjedhur në oborrin e familjes Petkovski në lagjen Gjorçe Petrov. Babai i viktimës dhe viktima i ishin vënë pas të akuzuarit dhe pas përleshjes erdhi deri te goditja me thikë, me ç’rast humbi jetën Angel Petkovski.