Argëtim Saliu: Shqetësimet e maqedonasve nga fuqia politike e shqiptarëve në RMV

S’do mend se historia socio-politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ndahet në dy periudha: ajo para dhe pas vitit 2001. Përderisa periudha e parë karakterizohet me shumë probleme dhe mungesa të lirive dhe të drejtave për shqiptarët si popull autokton. Periudha e dytë, është ajo që e ndryshon tërësisht imazhin në drejtim të ngritjes dhe avancimit të statusit juridiko-politik dhe shtetformues të shqiptarëve në RMV. Duhet theksuar se falë arritjes së Marrëveshjes së Ohrit edhe shumë kombësi të tjera jo shumicë, si: turqit, boshnjakët, romët, etj, fituan avancim të statusit të tyre politik në krah të kësaj marrëveshje.

Marketing

Nga: Doc. Dr. Argëtim Saliu.

Nuk duhet të mahnitemi nga qëndrimet negative që kanë subjektet politike maqedonase, ndaj shumë të arriturave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si p.sh: zbatimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Ohrit, Ligjit për zbatimin e gjuhës shqipe, përdorimi i Flamurit Shqiptar, themelimi i universiteteve publike, zgjedhja e z. Talat Xhaferit për kryetar të Parlamentit, udhëheqja me dikastere të rëndësishme ministrore si, Ministria e punëve të brendshme dhe Ministria e mbrojtjes, etj.

Po ashtu në kuadër të këtyre të arriturave, të vlen të theksohet se i gjithë procesi euro-integrues për anëtarësim në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian udhëhiqen nga zv/kryeministri shqiptar për euro-integrime. E përderi sa jemi tek udhëheqja me procese dhe dikastere të rëndësishme, aktualisht administrimi i suksesshëm situatës me pandeminë COVID – 19, po bëhet nga drejtori shqiptar i Institutit për shëndet publik republikan dhe Institutit për shëndet publik në qytetin e Shkupit dhe përgjegjës apo koordinator i Qeverisë për Covid -19 u emërua zv/kryeministri Dr. Bujar Osmani.

Marrë në konsideratë të gjitha këto të arritura sublime që dukshëm përmirësuan dhe avancuan statusin juridiko-politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është e rrugës dhe legjitime kërkesa e radhës e ardhur nga lideri politik i shqiptarëve dhe kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti për kryeministrin e parë shqiptar në RMV.

Fatkeqësisht, përpos subjekteve politike maqedonase, po shohim dhe dëgjojmë se edhe tek disa subjekte politike shqiptare ekzistojnë hamendje për kërkesën e fundit të z. Ali Ahmetit, për kryeministër shqiptar!

Kjo po krijon përshtypje, se sikur ne, nuk jemi të vetëdijshëm për fuqinë dhe kapacitetin tonë politikë dhe intelektual që kemi. Të nderuar vëllezër shqiptar, ne duhet të besojmë në kërkesat dhe idealet tona. E gjitha që na nevojitet është të jemi vetëm të bashkuar drejt progresit për faktorizimin politikë dhe ekonomik në vend.

Nuk duhet të na intereson dhe të merremi me atë se çfarë mendojnë dhe preferojnë pala maqedonase. Bashkë qytetarët tanë maqedonas, duhet të ballafaqohen me realitetin, sepse historikisht politikat antishqiptare u dolën të dështuara, andaj e gjitha çfarë na duhet dhe nevojitet, është bashkimi drejtë idesë për Kryeministrin e parë Shqiptar në RMV.

Marketing