Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut pranoi 125 ushtarë të rinj profesionistë

Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga sot në radhët e saj ka 125 ushtarë të rinj profesionistë. Ky është grupi i parë i pranuar nga dy të planifikuar për këtë vit, ndërkaq vitin e kaluar u pranuan 373 sosh njofton Meta.mk.

Marketing

Në ceremoninë në kazermën e Velesit “Alekso Demnievski – Bauman”, ministrja për Mbrojtje Radmila Shekerinska tha se me pranimin e këtyre 125 ushtarëve profesionistë, po rinovohet përbërja e ushtrisë dhe gjithashtu po krijohet dhe brezi i ri i cili do e përfaqësojë Maqedoninë e e Veriut në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike të ditëve të sotme, NATO.

“Në këto dy vite nga njëra anë kemi punuar për anëtarësimin e vendit në NATO, por edhe në anën tjetër nuk e kemi harruar armatën tonë, për këtë arsye kemi arritur këtë vit të sigurojmë buxhet më të madh për armatën, gjithashtu kemi arritur që t’i rrisim rrogat dy vite rresht dhe njashtu të pranojmë ushtarë të ri në armatë si vitin e kaluar ashtu edhe këtë vit”, shtoi Shekerinska.

Në lidhje me hapat e mëtutjeshëm në reformat në ushtri, ministrja theksoi se fokusi është i vendosur në përmirësimin e ligjeve që së shpejti do të hyjnë në procedurën parlamentare si dhe modernizimi i mëtejmë i armatës.

Ndryshe, Protokolli për anëtarësim në NATO është nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Pasi të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë Protokollin në Kuvendet e tyre, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.

Marketing