Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës kanë arrestuar sot 16 persona, pjesëtarë të një grupi kriminal të organizuar, ndërsa 7 persona janë ende në kërkim, në kuadër të aksionit “Rrjeta”.Prokurori i Shtetit për komunikim me media në Prokurorinë Speciale, Sylë Hoxha, bëri të ditur se para një viti në bazë të një kallëzimi penal janë zhvilluar hetime ndaj këtij grupi kriminal, raporton Ekonomia Online.

“Në bazë të kërkesës së PSRK-së, Gjykata Themelore në Ferizaj ka lëshuar urdhër kontrolli me ç’rast është implementuar aksioni ‘Rrjeta’ mëngjesin e sotëm”.“Malli i kontrabanduar ka hyrë nga Maqedonia përmes këtyre personave. Është grup kriminal mjaft mirë i organizuar”.Hoxha ka cekur veprat të cilat, sipas tij, i kanë kryer të arrestuarit, raporton EO.“Kemi vepra për krim të organizuar, kontrabandim të mallrave, shmangie nga tatimi, tregti e ndaluar, shmangie nga taksat doganore. Për momentin kemi vetëm shqiptarë. Për hir të hetimeve, nuk do të ishim lëshuar në detaje. Jemi duke përgatitur kërkesën për paraburgim. E kemi vlerësuar si sukses të organeve me rastin e arrestimit dhe konfiskimin e mallrave dhe mjeteve me të cilat janë kryer këto vepra”.Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës për luftimin e krimit të organizuar, Rexhep Fetahu, tregoi se aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Gjilanit dhe Ferizajt dhe në të kanë marrë pjesë 160 hetues policorë dhe 60 doganierë.

Në këtë aksion janë konfiskuar sasi cigaresh, duhan refuz, vajra motorike të kontrabanduara nga Maqedonia. Derisa janë konfiskuar 15 automjete më të cilat dyshohet se të arrestuarit kanë kryer veprat.“Janë sekuestruar 5150 euro, 400 mijë cigare të ndryshme pa banderola ose me banderola të Maqedonisë, që do të thotë kemi kontrabandim të mallrave nga shteti tjetër, janë sekuestruar mbi 450 kilogramë duhan refuz, vajra motorike mbi 6 tonë, vlera e tyre është mjaft e madhe”.Përfaqësuesi i Doganave të Kosovës, Blerim Krasniqi, bëri të ditur se vlera e mallrave të konfiskuara është 350 mijë euro, “Totali i përafërt i vlerës, shmangia doganore është 350 mijë euro.

Vetëm sot mallrat e konfiskuara kalojnë vlerën 100 mijë euro”.