Arrestohet aktivisti i Vetëvendosjes Valdrin Ahmeti

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se është arrestuar aktivisti i saj, Valdrin Ahmeti.

Marketing

Sipas LVV-së, Ahmeti është ndaluar nga Policia e Kosovës në kufi duke shkuar me familjen e tij në Preshevë për një rast familjar, derisa nuk i është treguar arsyeja e ndalimit por vetëm i kanë përmendur “pengesën ndaj personit zyrtar”.
“Valdrin Ahmeti është një aktivist i kahmotshëm në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe ai ka marrë pjesë e ka organizuar me dhjetëra aktivitete e protesta tonat.

Arrestimi i tij është pjesë e përndjekjes politike që pushteti ua bën aktivistëve, të cilët as nuk arratisen e as nuk fshihen, por janë qytetarë të përgjegjshëm, që gjithnjë i kanë mbajtur me nder e krenari përgjegjësitë e tyre, duke pranuar edhe dënime të padrejta me burg për veprimtaritë e tyre politike”, thuhet në postimin e LVV-së në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje ka drejtuar një varg kritikash në drejtim të Policisë së Kosovës per arrestimin e aktivistit Ahmeti.

“Në vend se të arrestojnë Valdrinin, policia do të ishte mirë të arrestonte ata që vjedhin tenderë, që punësojnë familjarët e miqtë e tyre, që marrin ryshfet për shërbime publike, e që janë fajtorë për moszhvillimin dhe varfërinë tone”.

“Valdrin Ahmeti është aktivist e qytetar i drejtë, ai nuk do të përkulet as nga ky arrestim, sepse aktivistët nuk përkulen. Bëjmë thirrje që pushteti ta ndalë menjëherë përndjekjen ndaj aktivistëve e ndaj opozitës dhe ta lirojë Valdrinin. Nuk do ta lejojmë autoritarizmin në Kosovë, sepse jemi të gjithë për Republikë e Demokraci”, përfundon postimi i Lëvizjes Vetëvendosje.