Arrestohet në Gjermani bosi shqiptar i kokainës, dy herë në muaj blinte makina luksoze

Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim, pasi kishte thyer masën e sigurisë arrest shtëpie, i cilësuar si bosi i trafikut të kokainës është arrestuar në Gjermani, falë një bashkëpunimi mes Policisë Federale gjermane dhe asaj të Padovës.

Mediet italiane shkruajnë se i arrestuari është shtetasi shqiptarë Artan Seferi, 32 vjeç dhe prej disa vitesh zotëronte një treg të lulëzuar kokaine e heroine në zonën e Padovës, Trevisos dhe Vicencës.

32-vjeçari vuante masën e sigurisë “arrest shtëpie” në zonën e Padovas në Itali, ku ditët e fundit të lejes ai u arratis drejt Muhlheim an der Ruhr, pranë Duisburgut në pjesën veriperëndimore të Gjermanisë.

Shqiptari arriti të arratisej dhe të fshihej falë disa të afërmve të tij që kishte në Gjermani.

Të ardhurat e tij nga shitja e lëndëve narkotike shkonin deri në 120 000 euro në muaj gjë e cila i mundësonte një jetë luksi dhe dy herë në muaj blinte makina super të shtrenjta.

“Lufta” e policisë kundër Seferit kishte nisur që në 10 korrik të 2015 ku policia arriti të arrestonte një nga bashkëpunëtorët e tij, Rexheo Emini 32-vjeç.

Ndërkohë pas arrestimit nga policia gjermane, pritet të kryhet ekstradimi drejt Italisë.