Arrestohet në Shqipëri kosovari i shpallur në kërkim nga Belgjika

Një 52-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Morinë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti belg.  Policia bën me dije se është vënë në pranga A.V., 52 vjeç, banues në Skalloc, Kosovë.

Marketing

Autoritetet njoftojnë se gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Frenge e Shkallës së Parë të Brukselit, Belgjikë , ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

“Vihet në pranga një shtetas kosovar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Belgjika. Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin në shtetin Belg. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: A.V., 52 vjeç, banues në Skalloc, Kosovë”, njofton policia.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e 52-vjeçarit drejt Belgjikës.