Një sirian që dyshohet se ka qenë pjesë e grupeve terroriste të ISIS në vendin e tij dhe në Irak është ndaluar nga policia në Kapshticë, pasi po tentonte që të kalonte nga Shqipëria për në vendet e BE.

Ai u kap para dy ditësh së bashku me 15 refugjatë të tjerë, 9 sirianë, 5 palestinezë dhe një libian.

Report Tv mësoi se në mesin e 16 të ndaluarve ishte edhe siriani që dyshohet se ka luftuar me grupet terroriste. Informacioni i parë mendohet se është dhënë nga SHISH. Ky person ka tentuar që të shkojë në vendet e Bashkimit Europian duke fshehur të kaluarën e tij përkrah grupeve terroriste.

Pas ndalimit ai është dërguar në Qendrën e Mbyllur për të Huaj në Kareç të Shijakut, ndërsa po punohet për ta identifikuar.

Ky nuk është rasti i parë që persona të dyshuar si terroristë hyjnë në vendin tonë, ndërsa në rastet e kaluara janë deportuar menjëherë tek agjencitë e huaja. Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për sirianin. Materialet janë referuar te Krimet e Rënda në Tiranë.