Arrestohet në Tiranë kosovari i shpallur në kërkim ndërkombëtar

Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar në Kosovë është arrestuar ditën e sotme në Tiranë.

Marketing

Sipas informacioneve, 40-vjeçari me inicialet G.M., strehohej në një banesë me qira, në rrugën “Jordian Misja”, Tiranë.

“Në zbatim të kërkesës së ardhur nga ILECU Kosovë, për kapjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore, FAST ALBANIA, DVP Tiranë dhe Interpol Tirana, bazuar në informacionet e marra më parë nga FAST ALBANIA, për 40-vjeçarin, i cili fshihej në Tiranë, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të shtetasit G. M., 40 vjeç, banues në Kosovë”, njofton policia.

Autoritetet ligjzbatuese kosovare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar këtë shtetas, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Ky shtetas dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin S. M. dhe pas tentativës është larguar ilegalisht nga territori i Kosovës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me ILECU Kosovë, vijon procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Kosovës.

Marketing