Arsimi dual, zgjidhje e papunësisë

Një nga zgjidhjet e mungesës të fuqisë punëtore në Maqedoninë e Veriut pritet të jetë edhe sistemi dual i arsimit. Njëherësh, një koncept i tillë pritet të zvogëlojë edhe hendekun e madhe midis kuadrit të disponueshëm dhe atij që kërkohet nga ana e kompanive. Sfidë për shtetin në të ardhmen paraqet orientimi sa më i madh i të rinjve që sa më shumë të drejtohen nga shkollat profesionale, në mënyrë që krahas arsimimit cilësor, të sigurojmë edhe punësim përmes sistemit dual, shkruan gazeta KOHA. Nga Qeveria thonë se një projekt eksperimental që filloi të realizohet në pesë komuna në shtet si në Shkup, Kavadar, Prilep, Veles dhe Ohër pritet të jetë pjesë përbërëse e sistemit arsimor në shtet. Në këtë drejtim do të merren parasysh edhe përvojat e shteteve të zhvilluara si Austria, Gjermania apo Zvicra që do të adaptohen si model ndaj kushteve dhe nevojave tona. Pritet që në të ardhmen, nxënësit të punësohen në kompani, përderisa po ndjekin shkollën, ku do të kenë ditë të caktuara në javë dhe kur do të ndjekin mësimin teorik në shkollat e mesme profesionale, ndërsa ditëve të tjera do të edukohen nëpër kompani. Gjithashtu, për dallim prej shtetet e zhvilluara ku në arsimin dual përfshihen paralele të tëra, në sistemin tonë paralelet do të jenë të përziera dhe në çdo qytet do të dihet saktësisht se cilat janë nevojat e bizneseve për kuadro të ndryshme.

Marketing

Me fjalë të tjera, nxënësi në të njëjtën kohë do të mësojë dhe punojë, ndërsa do të fitojë edhe pagë me kontributet e paguara. Nga ana tjetër, afaristët përshëndesin vendosjen e sistemit dual të arsimit në 10 shkolla si dhe planet për zgjerimin e tij, megjithatë shtojnë se nevojitet të ndryshohet edhe mentaliteti në vend që nuk do të shikojë si nënçmim punën e mjeshtrit apo punëtorin në një fabrikë vendore apo të huaj. “Krahas asaj se mungojnë nxënës që të krijojmë më shumë klasa të tilla, nevojitet një angazhim më i madh në ndryshimin e mënyrës së të menduarit, për shkak se është krijuar një logjikë e mbrapshtë e funksionimit në vend e që nënkupton ‘mëso që të mos punosh’. Apo me fjalë të tjera, vështirë se ndonjë familje në mënyrë vullnetare do të dërgojë fëmijët në shkollat e mesme profesionale që të bëhen mjeshtër, që si profesion aq është nënçmuar në shoqërinë tonë”, thotë Antoni Peshev nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Sipas tij, problem në vete për ekonominë e vendit është se si shtet po prodhojmë kuadro për administratën që seriozisht ka dëmtuar edhe tregun vendor të punës. Peshev shton se nevojitet një angazhim më i madh edhe në fusha të tjera si ndryshmi i plan-programeve mësimore, nëse ka nevojë edhe për çdo vit, si dhe përmirësimi i kushteve në shkolla për zhvillimin e tij.

Problemi është kompleks dhe për ndryshimin e situatës dhe përmirësimin e gjendjes, nevojitet edhe ndryshimi i mentalitetit, thonë nga Qeveria. “Në këtë drejtim, problem më të madh paraqet politika e regjistrimeve ku në dy dekadat e fundit kemi një situatë me mbi 95 për qind të nxënësve që përfundojnë shkollat e mesme e që regjistrohen në arsimin e lartë. Diçka e tillë nuk i përshtatet nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi, ndërsa ndryshimi i kësaj gjendje kërkon ndryshime rrënjësore dhe të dhimbshme në të gjitha segmentet”, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev. Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, thotë se në arsim nuk ka vendime të lehta, por të guximshme që sillen në bazë të analizave dhe jo perceptimeve.

“Ka filluar koncepti i ri i arsimit të mesëm profesional në bazë të kërkesave të komunitetit të biznesit për të fituar shkathtësitë dhe njohuritë e nevojshme. Janë dizajnuar 1000 plane modulare mësimore ku 55 për qind e lëndëve janë profesionale, ndërsa 45 për qind janë lëndë të përgjithshme arsimore të drejtimeve në profesionet. Njëherësh nevojitet të rrëzohet edhe miti se vetëm me diplomë fakulteti mund të fitohet në mënyrë të suksesshme , sidomos nëse merren parasysh profesionet e kërkuara në tregun e punës që janë me kualifikime profesionale”, thotë Ademi.

Në ndërkohë në sistemin dual të arsimit aktualisht janë inkuadruar dhjetë kompani si Drekslemajer, Kostal, ODV Elektrik, Kromberg dhe Shubert, Markart, Brako, Vitaminka , Genterm dhe Vik. Njëherazi program të ngjashëm të trajnimit po zbaton edhe kompania EVN. Parimi i sistemit dual të arsimit i bazuar në sistemin arsimor gjerman mbështetet në bashkëpunimin me institucionet përkatëse gjermane dhe ka për qëllim të ndihmojë ekonominë e Maqedonisë përmes bartjes së përvojave dhe përkrahjes gjermane. Autoritetet gjermane që mbështesin sistemin dual në shtet thonë se realizimi i sistemit dual arsimor në Ballkan mbart me vete edhe më shumë sfida. “Sistemi dual i arsimit, pavarësisht a realizohet në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë apo Serbi nuk nënkupton se është zgjidhja më adekuate apo injeksion për ekonominë. Realizimi me sukses i sistemit dual kërkon një sektor të fuqishëm privat, apo kompani që do të t’ju mundësojnë nxënësve kushte për realizimin e praktikës. Kërkohen edhe klasa mirë të pajisura, ku për çdo ditë një numër i madh i nxënësve do të mund të mësojnë punën praktike”, thotë eksperti gjerman Tobijas Tole.

Sipas tij, pas përfundimit të sistemit dual arsimor, duhet që kompania ku nxënësi kanë ardhur në praktikë edhe ti punësojë punëtorët në mënyrë afatgjate. Ndryshe, sistemi i arsimit dual, që po zbatohet gjerësisht ne Evropë, paraqet një mekanizëm efikas për uljen e papunësisë tek te rinjtë, si dhe për sigurimin e vijueshmërisë të mjeshtërve te kualifikuar në biznesin e vogël dhe të mesëm, por edhe në fabrikat e vendit. (koha.mk)