Asambleja e 141 e Unionit Ndër-Parlamentar, Xhaferi: Presim vendim pozitiv nga Këshilli i BE-së

Republika e Maqedonisë së Veriut punon shumë në fushën e avancimit dhe forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, teksa besojmë se vetëm qasja e sinqertë ndaj mosmarrëveshjeve dhe ndaj çështjeve të hapura dhe mbajtja e dialogut politik deri në shterjen e të gjitha mundësive, mund të sjellë deri te kompromisi i pranueshëm për palët.

Marketing

Kështu tha kryetari i kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, gjatë fjalimit të tij në kuadër të Asamblesë së 141 të Unionit Ndër-Parlamentar, që po zhvillohet në Beograd, me temë “Përforcimi i të drejtës ndërkombëtare: Roli dhe mekanizmat e Parlamenteve dhe kontributi në bashkëpunimin rajonal”.

“Si rezultat i këtij angazhimi altruist ishte nënshkrimi i dy marrëveshjeve, gjegjësisht Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë dhe Marrëveshjes me Republikën e Greqisë me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar, i cili na pengonte në arritjen e qëllimeve tona strategjike, respektivisht integrimit në NATO dhe në BE. Tani ky proces është debllokuar dhe presim që deri në fund të vitit të bëhemi anëtar i plotfuqishëm i 30 i NATO-s, ndërsa prej sot deri më 18 tetor jemi në pritje të vendimit pozitiv të Këshillit të BE-së, gjegjësisht të përcaktohet datë për fillimin e negociatave aderuese”,- njoftojnë nga Kuvendi.

Dialogu politik është esencial dhe i njëjti zhvillohet para syve të opinionit dhe prandaj punojmë shumë edhe në drejtim të ngritjes së nivelit të dialogut politik, ndërtimit të konsensusit ndërmjet palëve politike kundërshtare dhe adresimit të fuqishëm e të përbashkët të të gjitha çështjeve që i shqetësojnë qytetarët dhe njëkohësisht e pamundësojnë rritjen, zhvillimin dhe përparimin e vërtetë të shtetit, nënvizoi Xhaferi.

Marketing