Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë reaguar në lidhje me ndalimin e protestës së sotme për rastin “Mosntra” nga ana e forcave policore, përcjell TetovaSot. ASH dhe AA vlerësojë se ndalimi i protestës është tipari i parë i diktaturës.

Më poshtë reagimi i plotë i ASH dhe AA:

Në ditën kur ishte paralajmëruar të mbahet protesta paqësore kundër vendimin për rastin e montuar politik “Monstra”, policia e Oliver Spasovskit ishte kujdesur që ta pengojë këtë protestë dhe, madje, me ndalimin e marshit protestues, të provokojë incidente me përmasa të paparashikueshme. Dhe, përkundër kërkesës së organizatorëve, familjarëve të dënuar në rastin “Mostra”, të cilët e kishin njoftuar qysh më herët Ministrinë e Punëve të Brendshme për organizimin e protestës, policia – me forca të mëdha të autoblindave dhe njësive speciale – nuk e liroi rrugën dhe i pengoi protestuesit që të arrijnë në destinacionin e tyre.
Siç e dimë, kudo në botë janë protestuesit ata që e caktojnë se ku duan të protestojnë dhe në secilin vend demokratik të botës ata, përveçse ta njoftojnë policinë, nuk kanë asnjë detyrim tjetër.
Prandaj për koalicionin Aleanca për Shqiptarët & Alternativa skena e sotme e kufizimit të së drejtës për protestë është edhe një dëshmi se pas përfundimit të regjimit Gruevski-Ahmeti, në horizont po duket regjimi i ri Zaev-Ahmeti. Ashtu si banda e Gruevskit dikur, po ashtu sot policia në vend se të jetë në mbrojtje të qytetarëve, ajo i pengoi qytetarët në shprehjen e mendimit të lirë dhe të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore. Kjo dukuri quhet diktaturë. As më pak e as më shumë. Dhe, këso skena shohim sot vetëm në Bjellorusi, Venezuelë e në Rusi. Se a flet kjo për aleanca të reja të këtij regjimi apo është thjesht trajnim muskujsh në kurriz të shqiptarëve, këtë duhet ta shpjegojnë ata që e përdorin policinë e popullit kundër popullit.
Sidoqoftë, deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët & Alternativa ishin aty sot për ta mbështetur protestën, pas asnjë pretendim tjetër. Madje, ashtu siç e pamë të gjithë, ata ndihmuan në qetësimin e gjakrave, duke qenë pranë popullit dhe me të drejtën e popullit.
Megjithatë, ne tashmë jemi të bindur se në Maqedoninë e Veriut janë ndryshuar vetëm aktorët, ndërsa skenari dhe skenaristi janë të njëjtë. Prandaj, ashtu siç e rrëzuam regjimin Gruevski-Ahmeti, na mbetet për detyrë ta rrëzojmë edhe këtë regjim, sepse nuk ka shpëtim tjetër nga diktatura.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa
Shkup, 26.02.2021

Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për 7 policë të lënduar dhe 8 protestues të arrestuar