ASh-Alternativa: Do të mbështesim Ligjin e regjistrimit

Koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët do ta votojnë Ligjin për regjistrimin e popullsisë, por kanë disa vërejtje për përmbajtjen e ligjit për të cilat kishin dorëzuar edhe amendamente, por ato nuk u pranuan.
Për të pasur besueshmërinë e të gjithë aktorëve politikë duhet të themelohet një komision me përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, e jo regjistrimin ta bëjë Enti Shtetëror i Statistikave me drejtorin dhe zëvendësin e saj, që janë përfaqësues të vetëm dy subjekteve politike, thonë nga Koalicioni opozitar.
“Koalicioni ASh dhe AAA bën amendamente për Ligjin për Regjistrim, ata nuk na pranojnë asnjë amendament, ndërsa ne themi se për shkak se është interes shtetëror, ne do ta votojmë. Ndërsa ata vazhdojnë në këso raste, në këso dukuri, shumë të rëndësishme për shtetin, vazhdojnë të ecin vet dhe pa dëgjuar askënd. Qeveria është ajo e cila do të duhet që në këso raste ta shtrinë dorën e të na ftojnë ne dhe çdo subjekt politik që në një proces kaq të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët të jemi bashkë.”,- tha lideri i Alternativës, Afrim Gashi.
“Është interes shtetëror dhe duhet të jetë i besueshëm dhe prandaj me këtë qëllim do të duhet që të gjithë aktorët politik të kenë përfaqësuesin e tyre që ti japin besueshmëri procesit. Dhe sot e kësaj dite, dhe kjo është absurdi më i madh, sot e kësaj dite asnjë shpjegim për opinionin se pse u ndërpre regjistrimi i vitit 2011. Prandaj ne kemi kërkuar që të ketë komision shtetëror i cili do të merret me regjistrimin njësoj siç ka komision shtetëror që merret me votimin. Regjistrimi është interes i shtetit dhe jo i entit statistikor.”,- tha kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.