Aleanca për Shqiptarët (ASH) nuk pajtohet me epilogun gjyqësor në rastin e tentim-vrasjes së kreut të kësaj partie Ziadin Sela më 27 prill të vitit kaluar. Sipas partisë opozitare, lartësia e dënimit nuk është në përputhje me veprën të cilën e kanë kryer të akuzuarit. Aleanca vlerëson se Gjykata duhet ta ketë parasysh faktin që është sulmuar një lider partie, deputet i zgjedhur nga populli dhe kryefamiljar.

“Vlerësojmë se dënimet duhet të ishin maksimale, shumë më të mëdha se kaq. Gjithashtu, në kuadër të kësaj mendojmë se procesi gjyqësor duhet të gjej edhe urdhëruesit dhe porositësit e 27 prillit që edhe ata të jenë para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara”, deklaroi Flakron Bexheti, Zëdhënës i ASH-së.

I pyetur për vendimin e Gjykatës Penale, kryeministri Zoran Zaev iu shmang komentit të drejtpërdrejtë. Zaev përsëriti qëndrimet e tij të mëparshëm se ligji duhet të funksionojë për të gjithë njëlloj.

“Kam thënë, kush do që të jetë, 100 herë qoftë nga pushteti ose opozita apo qytetar, nëse shkelet ligji duhet përgjegjësi. Këtë e presin të gjithë. Të sundoj ligji, shteti i së drejtës dhe ligji të vlejë për të gjithë njëlloj. Qytetarët kanë instanca të dyta e të treta për ankesa dhe shpresoj se këto instanca të funksionojnë ashtu siç është me rëndësi për mua që të funksionojnë të gjitha institucionet në vend”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Të kontaktuar për prononcim, nga VMRO-DPMNE-ja nuk pranuan të komentojnë vendimin gjyqësor për tentim-vrasjen e Ziadin Selës.