Kushdo që i afrohet presidentit të SHBA-së, Donald Trump ose nënpresidentit Mike Pence do t’i nënshtrohet testimit për koronavirusin e ri (COVID-19), njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere tha në një deklaratë se në kulmin e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit janë marrë masa shtesë për mbrojtjen e shëndetit të Trump dhe Pence.

“Nga sot, kushdo që do të jetë afër Trump ose Pence do të testohet paraprakisht për koronavirus. Kjo do të zvogëlojë mundësinë që transmetuesit asimptomatikë të infektojnë presidentin ose nënpresidentin e SHBA-së”, thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën kohë, reporterët e Shtëpisë së Bardhë thanë se dispozita nuk vlen për ta.

Shtëpia e Bardhë më parë ka zvogëluar numrin e gazetarëve që marrin pjesë në konferencat e Trump, dhe po ashtu janë larguar nga foltorja dhe nuk janë në kontakt të drejtpërdrejtë me presidentin amerikan.

Donald Trump dje u testua për koronavirusin, ndërsa për herë të parë ishte testuar më 14 mars. Rezultatet e të dyja testeve kanë rezultuar negative.

Ndërkaq, nënpresidenti Pence u testua më 21 mars dhe rezultoi negativ pasi një nga punonjësit e tij të kabinetit u zbulua se ishte i infektuar.