Asnjë futbollist me Covid, Tirana gati për sfidën e Champions League

Testimet e Covid kanë rezultuar negative për të gjithë lojëtarët e skuadrës së Tiranës, që tashmë është e gatshme të përballet me Dinamon e Tbilisit, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet në Champions League.

Marketing

Lajmi është bërë i ditur nga FSHF, një njofton se skuadra do të udhëtojë drejt Gjeorgjisë dhe nuk do të ketë nevojë për testime të tjera.

“Skuadra e KF Tiranës ka rezultuar e gjitha negativ pas kryerjes së testeve për COVID-19 dhe do të udhëtojë të martën në mëngjes drejt Tbilisit për ndeshjen e Champions League.  Lajmi i mirë është konfirmuar sot pas marrjes së përgjigjeve të analizave për lojtarët, stafin teknik si edhe pjesëtarët e delegacionit që do të udhëtojnë drejt Gjeorgjisë për ndeshjen Dinamo Tbilisi – KF Tirana, që do të luhet të mërkurën në orën 19:00.

Pas komunikimeve të vazhdueshme dhe këmbënguljes së FSHF-së u bë e mundur që pala gjeorgjiane të binte dakord për protokollin sanitar të miratuar më parë nga UEFA, duke marrë parasysh dhe masat kufizuese të vendosura nga qeveria e Gjeorgjisë.

Kësisoj, KF Tiranës do t’i mjaftojnë vetëm përgjigjet e analizave të kryera në Shqipëri për të udhëtuar drejt transfertës së Champions dhe nuk do të ketë nevojë për testime të mëtejshme me të mbërritur në Tbilisi. Me të mbërritur atje skuadra kampione e Shqipërisë do të stërvitet normalisht dhe do të kryejë të gjitha përgatitjet e duhura për ndeshjen e parë të turit kualifikues”, njofton FSHF.

Kujtojmë se ekipi “Drita” i Gjilanit humbi në tavolinë ndeshjen me Linfield të Irlandës së Veriut, pasi një nga futbollistët e tyre rezultoi pozitiv nga Covid 19.

Marketing