Atë që nuk e bën shteti, e bënë diaspora

Zjarrfikësit e Tetovës u pajisën me dy automjete të reja – kamionë specialë për shuarjen e zjarrit të cilët janë donacion nga Danimarka. Kamionët janë siguruar me angazhimin e Mexhait Latifit mjek i fshatit të Tetovës Dobrosht, i cili tashmë disa vite jeton dhe punon në Danimarkë, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Uka Aliti, komandant i njësitit zjarrfikës të Tetovës tha se automjeti i parë është kamion kryesor për shuarjen e zjarrit, ndërsa cisterna paraqet logjistikë për automjetin. Mexhait Latifi theksoi se për këtë iniciativë ishte shumë i motivuar duke e ditur se populli ka probleme me shumë zjarre. Kamionët ishin të dedikuar për Komunën e Tearcës, por pasi ende nuk ka njësite të tilla në komunat rurale, kompetenca e automjetit i është transferuar Komunës së Tetovës. Isen Asani, kryetar i Komunës së Tearcës tha se shpreson se ndryshimet ligjore do të kontribuojnë që të krijohen reparte të njësitit zjarrfikës në vendet rurale.

“Komuna e Tetovës pranoi donacionin nga shteti i Danimarkës dy automjete mjaft të avancuara për nevojat e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë. Realizimi i këtij donacioni u mundësua në bashkëpunim me Komunën e Tearcës dhe erdhi si iniciativë shumë bujare e mërgimtarit Mexhait Latifi nga Tearca, i cili tani më 50 vite jeton dhe punoi si mjek në Danimarkë. Këto automjete do t’i ndihmojnë jashtëzakonisht shumë zjarrfikësit duke rritur efikasitetin e shërbimeve publike për sigurinë e qytetarëve, dhe gjithashtu për faktin se Brigada e Zjarrfikësve të Tetovës servison edhe 6 komuna të tjera që gravitojnë rreth komunës së Tetovës.

Një falënderim i veçantë për Mexhait Latifi, Torben Christenses Niels Anker Moller Nielsen, Johannes Holm Iversen dhe Knud Borge Moller për këtë vepër shumë fisnike e cila dëshmon për një miqësi njerëzore dhe partneritet institucional mes dy vendeve”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Në ndërkohë, mërgimtari Mexhait Latifi u shpreh se për të arritur në qëllimin final të këtij donacioni, janë dashur shtatë muaj. Përfaqësuesit e shoqatës daneze Falk, kanë theksuar se gjithmonë do të jenë të gatshëm që të ndihmojnë zjarrfikësit e Tetovës, sepse kanë një bashkëpunim të shkëlqyer dhe është me rëndësi që ata të kenë mjete për përballje kundër zjarrit. Ndryshe, Mexhait Latifi ka ndërmarrë edhe shumë nisma humanitare për vendlindjen e tij. Me iniciativën e tij janë sjellë në Tetovë shumë ndihma, kryesisht pajisje të ndryshme që janë në shërbim të komunitetit.